Albin Kurti nuk dëshiron të deklarohet për fjalët e Rashiqit: Ka folur zëdhënësi, e ka sqaruar edhe ministri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga gazetarët se a diskutoi për zhvillimet e fundit politike në takimin e tij të premten me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it. Në një përgjigje të shkurtër për mediat, Kurti mohoi se temat aktuale politike ishin pjesë e diskutimit. “Nuk ka pasur të bëjë me atë temë fare,…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga gazetarët se a diskutoi për zhvillimet e fundit politike në takimin e tij të premten me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it.
Në një përgjigje të shkurtër për mediat, Kurti mohoi se temat aktuale politike ishin pjesë e diskutimit.
“Nuk ka pasur të bëjë me atë temë fare, ka qenë një takim që është dakorduar më herët”,
Gjithashtu Kurti është pyetur sot nga gazetarët në lidhje me deklarimin e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq ku tha se Albin Kurti vendosi t’ia jap Manastirit të Deçanit 24 hektarë për hatër të tij.
“Ka folur tashmë zëdhënësi Arlindi dhe tanimë e ka sqaruar edhe ministri”,tha shkurt Albin Kurti, transmeton lajmi.net.
Ndërsa i pyetur nëse dekreti i presidentes Vjosa Osmani është dërguar në Gjykatën Kushtetuese Kurti nuk u deklarua fare por vazhdoi tutje.
Ndryshe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq përmes një deklarate të tij, ka sjell debat publik dhe reagime të shumta.
Në një intervistë për radion lokale, Radio Gorazhdevci, Nenad Rashiq tha se kryeministri Albin Kurti i ka dhënë Manastirit të Deçanit 24 hektarë për “hatër të tij”.
“Do ta them, ndoshta pa modesti, por ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Për vite me radhë kam shpjeguar pse ishte e rëndësishme. Në fund, kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por e di – për shkakun tënd” – deklaroi Rashiq.
Kjo deklaratë e tij, solli shumë reagim nga partitë opozitare por edhe nga shoqëria civile., e pas kësaj Rashiq tentoi ta ndryshojë deklarimin.
Nenad Rashiq, e tërhoqi deklaratën e tij se kryeministri Albin Kurti, për shkak të tij, i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës në mars të vitit 2024 të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016 për kthimin e tokës te Manastiri i Deçanit.
Në një intervistë për radion lokale, Radio Gorazhdevci, Rashiq tha se Kurti i ka thënë atëkohë: “Këtë e kemi bërë për ty”.
“Deklarata ime nuk ishte plotësisht e saktë, sepse e ngatërrova atë fjali me një bisedë që ndodhi më parë, kur miratova vizitën e Patriarkut serb. Gabimi im ishte i paqëllimshëm dhe ndërrimi i ngjarjeve ndodhi sepse kanë kaluar disa vite që nga ajo kohë”, tha Rashiq në reagimin dërguar mediave./Lajmi.net/