Hoxhaj: Për hatër të kujt u morën vendime tjera të rënda për vendin? – Kosova nuk është pronë e askujt për t’u falur sipas hatrit

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili kishte thënë publikisht se kryeministri Albin Kurti, “për hatër të tij”, ia ka transferuar tokën Manastirit të Deçanit. Në një postim publik, Hoxhaj tha se një deklaratë e tillë tregon, sipas tij, “thelbin e një politike…

Lajme

08/03/2026 19:22

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili kishte thënë publikisht se kryeministri Albin Kurti, “për hatër të tij”, ia ka transferuar tokën Manastirit të Deçanit.

Në një postim publik, Hoxhaj tha se një deklaratë e tillë tregon, sipas tij, “thelbin e një politike me logjikë feudale”, ku territori i shtetit trajtohet si pronë që mund të jepet “për hatër”.

Ai ngriti disa pyetje lidhur me vendime të tjera që i cilëson si të rënda për Kosovën.

“Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: për hatër të kujt janë marrë edhe vendime të tjera të rënda për Kosovën?”, ka shkruar Hoxhaj.

Sipas tij, duhet të sqarohet “për hatër të kujt u pranua vetëmenaxhimi” në marrëveshjet e vitit 2023 në Ohër dhe Bruksel, duke iu referuar dialogut Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Hoxhaj përmendi gjithashtu rikthimin në diskutim të Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mekanizma arbitrazhi që, sipas tij, mund të hapin rrugë për ekstraterritorialitet.

Në reagimin e tij ai ngriti edhe çështjen e pranimit që pasaportat e Serbisë për qytetarët e Kosovës të mund të përdoren për lëvizje pa viza në Bashkimi Evropian.

“Kosova nuk është pronë e askujt për t’u falur sipas hatrit. Është shtet dhe duhet të trajtohet si e tillë”, ka theksuar Hoxhaj. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: