24 hektarët e Manastirit të Deçanit, Hoti: Rashiq me këtë deklaratë e zhvesh Kurtin nga retorika e tij mashtruese

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar pas deklaratës së Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiqit në lidhje me tokën e Manastirit. Ai ka thënë se deklarata e Rashiqit, e zhvesh plotësisht Kurtin nga retorika e tij mashtruese. “Për vite u fol për “tradhti” dhe “falje të tokës për manastirin”. Sot, ministri i tij…

Lajme

08/03/2026 16:39

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar pas deklaratës së Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiqit në lidhje me tokën e Manastirit.

Ai ka thënë se deklarata e Rashiqit, e zhvesh plotësisht Kurtin nga retorika e tij mashtruese.

“Për vite u fol për “tradhti” dhe “falje të tokës për manastirin”. Sot, ministri i tij e thotë hapur se vendimi për faljen e tokës së manastirit ishte shumë i thjeshtë: “Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd.” Pra, ajo që dikur ishte tradhti, kur u bë vetë Kryeministër u bë lehtësisht për hatër”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se Kurti iu ka hedhur hi syve qytetarët ndërsa ka marrë vendime të kundërta e për hatër në prapaskenë.

Rashiq ka folur për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdevcin lidhur me marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Ai tha se ka pasur situata kur kanë pasur kundërshtime, por shpjegoi se si Kurti e kishte bërë, siç tha, për shkak të tij, transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.

Në vitin 2024, Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që t’ia transferonte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, duke thënë se kjo do të ishte vendimtare për anëtarësimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, gjë që më pas nuk ndodhi.

“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq, siç transmeton Kossev.

Ai shtoi se, edhe pse kjo ishte një detyrim i vjetër gjyqësor që askush më parë s’e kishte zbatuar, fakti që këtë e bëri Albin Kurti me nxitjen e tij ka peshë të veçantë: “Ishte një gjë e madhe që nuk është e natyrës materiale, por diçka shumë më e rëndësishme. Mendoj se kjo duhet vlerësuar”, deklaroi ai. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: