Haradinaj kritikon vendimin e ministres Pacolli për Bjeshkët e Nemuna: Qeveria e shkëputur nga realiteti i qytetarëve

Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të ministres në detyrë të Mjedisit, Fitore Pacolli, për ndalimin e transportit të materialeve ndërtimore në zonën e Bjeshkët e Nemuna. Përmes një reagimi publik, Haradinaj e ka cilësuar këtë vendim si dëshmi të shkëputjes së qeverisë nga realiteti i qytetarëve…

Lajme

07/03/2026 10:41

Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të ministres në detyrë të Mjedisit, Fitore Pacolli, për ndalimin e transportit të materialeve ndërtimore në zonën e Bjeshkët e Nemuna.

Përmes një reagimi publik, Haradinaj e ka cilësuar këtë vendim si dëshmi të shkëputjes së qeverisë nga realiteti i qytetarëve të Kosovës, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, vendimi është marrë pa e njohur situatën në terren dhe pa u marrë parasysh jeta e banorëve që jetojnë në atë zonë.

“Shkëputja totale e kësaj qeverie në largim nga realiteti i qytetarëve të Kosovës është e thellë. Vendimi i ministres në detyrë, Fitore Pacolli, për të ndaluar transportin e materialeve ndërtimore në Bjeshkët e Nemuna, me arsyetimin e mbrojtjes së ekosistemit, është një shembull i qartë i një qasjeje të paditur dhe të shkëputur nga realiteti”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se zona e Rugova dhe Bjeshkët e Nemuna nuk janë vetëm hapësira natyrore, por zona të banuara me 13 fshatra, ku banorët përpiqen të jetojnë dhe të zhvillojnë ekonominë e tyre në kushte të vështira infrastrukturore.

“Rugova dhe Bjeshkët e Nemuna nuk janë thjesht një zonë natyrore në hartë, ato janë zona të banuara me 13 fshatra, ku njerëzit jetojnë, ndërtojnë, punojnë dhe përpiqen të zhvillojnë ekonominë e tyre”, ka shtuar ai.

Haradinaj ka kritikuar qeverinë duke thënë se në vend të investimeve në infrastrukturë dhe zhvillim të qëndrueshëm për këtë zonë turistike, po merren vendime që sipas tij rrezikojnë ta izolojnë atë dhe të dëmtojnë mundësitë për zhvillim ekonomik./lajmi.net/