Trump paralajmëron ndryshime në Kubë: Do të bjerë shumë shpejt – do ta dërgoj Marco Rubion atje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se situata në Kuba mund të ndryshojë shpejt, duke theksuar se ishulli po përballet me vështirësi serioze ekonomike dhe energjetike. Në një intervistë telefonike për CNN me gazetaren Dana Bash, Trump u shpreh se regjimi kuban është në një pozitë të dobët dhe se zhvillimet mund…

Bota

06/03/2026 22:32

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se situata në Kuba mund të ndryshojë shpejt, duke theksuar se ishulli po përballet me vështirësi serioze ekonomike dhe energjetike.

Në një intervistë telefonike për CNN me gazetaren Dana Bash, Trump u shpreh se regjimi kuban është në një pozitë të dobët dhe se zhvillimet mund të përshpejtohen në periudhën e ardhshme, transmeton lajmi.net.

“Kemi kohë të mjaftueshme, por Kuba është gati – pas 50 vjetësh”, tha ai.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur Kuba po përballet me mungesë të karburanteve dhe probleme të mëdha energjetike. Situata është përkeqësuar edhe më shumë pas goditjes së Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuela në fillim të vitit, gjë që ka ndikuar në furnizimin me naftë të ishullit.

Presidenti amerikan ka paralajmëruar më herët se Uashingtoni mund të vendosë tarifa ndaj vendeve që vazhdojnë të furnizojnë Kubën me naftë, një masë që sipas tij synon të rrisë presionin ekonomik ndaj regjimit në Havana.

Sipas raportimeve, ndërprerjet e energjisë elektrike janë bërë të shpeshta në pjesë të ndryshme të vendit, duke prekur rreth gjysmën e territorit.

Trump tha gjithashtu se për çështjen e Kubës do të angazhohet drejtpërdrejt sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, familja e të cilit kishte emigruar nga Kuba gjatë regjimit të Fulgencio Batista.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje dhe unë do ta vendos Marcon atje dhe do të shohim si do të zhvillohet kjo. Jemi shumë të fokusuar në këtë tani”, deklaroi Trump.

Ai shtoi se zhvillimet në Kubë mund të hapin rrugë që komuniteti i madh i kubano-amerikanëve të rikthehet në vendin e tyre të origjinës.

“E kam ndjekur këtë çështje për 50 vjet. Tani ka rënë mu në prehër dhe ne po ia dalim shumë mirë”, u shpreh presidenti amerikan./lajmi.net/