FIFA Academy hap dyert në Kosovë

FIFA Academy, programi zyrtar i zhvillimit i krijuar nga FIFA për identifikimin, edukimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në futboll, ka nisur aktivitetin e saj edhe në Kosovë. Ky program synon të ndërtojë një bazë të qëndrueshme për futbollin e së ardhmes, duke u fokusuar në cilësinë e trajnimit, edukimin sportiv dhe zhvillimin afatgjatë…

Sport

09/02/2026 13:00

FIFA Academy, programi zyrtar i zhvillimit i krijuar nga FIFA për identifikimin, edukimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në futboll, ka nisur aktivitetin e saj edhe në Kosovë. Ky program synon të ndërtojë një bazë të qëndrueshme për futbollin e së ardhmes, duke u fokusuar në cilësinë e trajnimit, edukimin sportiv dhe zhvillimin afatgjatë të lojtarëve të rinj, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Për herë të parë në rajon, FIFA Academy është e pranishme në Kosovë përmes programit Talent Coach Program, duke shënuar një hap shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit vendor dhe rajonal. Prania e këtij programi sjell metoda moderne trajnimi, planprograme të certifikuara nga FIFA dhe një qasje profesionale, në përputhje me praktikat më të mira botërore.

Kjo iniciativë përfaqëson një mundësi të veçantë për fëmijët dhe të rinjtë që të zhvillohen në një ambient profesional, të sigurt dhe edukativ, duke ndërtuar jo vetëm aftësi futbollistike, por edhe vlera sportive dhe njerëzore.

Nga data 7 shkurt 2026 ka nisur faza e parë e implementimit të projektit, e cila përfshin procesin e seleksionimit të lojtarëve të moshës 2013 në të gjitha regjionet e Kosovës.

Pas qytetit të Ferizajt, aktivitetet seleksionuese të programit sot janë zhvilluar në Gjilan, ndërsa procesi do të vazhdojë edhe nesër në këtë qytet, për t’u shtrirë më pas edhe në qytetet e tjera të vendit.