FFK vazhdon programin e edukimit kundër dopingut në Ferizaj dhe Gjilan

Federata e Futbollit e Kosovës ka vazhduar edhe gjatë kësaj jave programin e edukimit kundër dopingut, duke ofruar informacione të rëndësishme për futbollistët e rinj dhe stafin teknik rreth mbrojtjes së integritetit në sport. Aktivitetet e radhës janë zhvilluar në Ferizaj dhe Gjilan, ku futbollistët e rinj janë njohur nga afër me rregulloret anti-doping, procedurat…

Sport

21/02/2026 03:45

Federata e Futbollit e Kosovës ka vazhduar edhe gjatë kësaj jave programin e edukimit kundër dopingut, duke ofruar informacione të rëndësishme për futbollistët e rinj dhe stafin teknik rreth mbrojtjes së integritetit në sport.

Aktivitetet e radhës janë zhvilluar në Ferizaj dhe Gjilan, ku futbollistët e rinj janë njohur nga afër me rregulloret anti-doping, procedurat e kontrollit si dhe rëndësinë e përgjegjësisë personale gjatë karrierës sportive.

Ligjëratat janë mbajtur nga Berand Tahirbegolli, në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga FFK në partneritet me UEFA. Gjatë prezantimeve është theksuar se çdo shkelje e rregullave të dopingut dëmton jo vetëm rezultatin sportiv, por edhe reputacionin dhe shëndetin e sportistit.

Sipas FFK-së, qëllimi i këtyre takimeve është ndërtimi i një kulture sportive të bazuar në ndershmëri, disiplinë dhe respekt për rregullat e lojës, duke fuqizuar brezat e rinj me njohuri dhe vetëdije të hershme.

Përmes këtij bashkëpunimi me UEFA-n, FFK synon të forcojë standardet e edukimit sportiv dhe të dërgojë mesazhin se suksesi afatgjatë në sport arrihet vetëm përmes lojës së pastër.