FFK bën tjetër hap të madh në bashkëpunimin me UEFA-n
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka arritur një sukses të rëndësishëm në zhvillimin e edukimit të trajnerëve, duke marrë konfirmimin zyrtar nga UEFA për pranimin në Konventën e Trajnerëve në nivelin e diplomës UEFA Fitness B. Ky hap vjen pas përfundimit me sukses të kursit të parë për UEFA Fitness C nga Departamenti i…
Sport
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka arritur një sukses të rëndësishëm në zhvillimin e edukimit të trajnerëve, duke marrë konfirmimin zyrtar nga UEFA për pranimin në Konventën e Trajnerëve në nivelin e diplomës UEFA Fitness B.
Ky hap vjen pas përfundimit me sukses të kursit të parë për UEFA Fitness C nga Departamenti i Edukimit në FFK, i cili ka marrë vlerësim pozitiv nga paneli përkatës i UEFA-s. Në një shkresë të nënshkruar nga Shefi i Zhvillimit të Trajnerëve në UEFA, Kris Van Der Haegen, është konfirmuar se FFK plotëson kriteret për të qenë pjesë e këtij niveli të ri të Konventës.
Me këtë vendim, FFK tani ka të drejtë të organizojë dhe të lëshojë diploma dhe licenca UEFA Fitness B për kandidatët që përmbushin standardet e kërkuara, duke harmonizuar plotësisht programet e saj me rregulloret dhe standardet evropiane të UEFA-s.
Ky sukses konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt avancimit të sistemit të edukimit të trajnerëve në Kosovë dhe rritjes së kapaciteteve profesionale në fushën e përgatitjes fizike. Departamenti i Edukimit në FFK premton të vazhdojë ofrimin e programeve cilësore, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e futbollit në vend.
Pranimi në nivelin UEFA Fitness B është dëshmi e punës serioze dhe të qëndrueshme të FFK-së për ndërtimin e një strukture moderne të edukimit të trajnerëve dhe avancimin e futbollit kosovar.