​Nesër vazhdon dëshmia e ekspertit të kriminalistikës në rastin për pengim të drejtësisë

Dëshmia e holandezit, Koen Herlaar do të vazhdojë edhe nesër në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë. Eksperti i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës ka nisur dëshminë e tij mëngjesin e sotëm. Ky është dëshmitari i dytë i ftuar nga ZPS-së në…

Lajme

03/03/2026 17:03

Dëshmia e holandezit, Koen Herlaar do të vazhdojë edhe nesër në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë.

Eksperti i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës ka nisur dëshminë e tij mëngjesin e sotëm. Ky është dëshmitari i dytë i ftuar nga ZPS-së në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë.

Dëshmitari holandez është dëgjuar pjesërisht në seancë private.

Pas kthimit nga pushimi i drekës, avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon ka kërkuar nga trupi gjykues që ta detyrojë dëshmitarin holandez, Koen Herlaar që të përgjigjet në pyetjet e parashtruara.

Mbrojtja e Thaçit ka reaguar, lidhur me siç tha ajo refuzimin e dëshmitarit për tu përgjigjur në pyetjet për shkak të konfidencialitetit. Sipas saj, ky dëshmitar i ftuar nga ZPS nuk ka dhënë asnjë bazë ligjore për këtë lloj refuzimi.

Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.

Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte.