Izraeli bombardon Këshillin e Ekspertëve iranian gjatë zgjedhjes së pasardhësit të Khameneit
Sulmet e përbashkëta ajrore kanë goditur ndërtesën e Këshillit të Ekspertëve të Iranit në qytetin Kom, pikërisht në momentin kur ky organ po mbante një mbledhje për zgjedhjen e udhëheqësit të ri suprem të Iranit. Këtë informacion për “Fox News” e ka konfirmuar një zyrtar izraelit i paemëruar, duke theksuar se objektivi kryesor i sulmit…
Bota
Sulmet e përbashkëta ajrore kanë goditur ndërtesën e Këshillit të Ekspertëve të Iranit në qytetin Kom, pikërisht në momentin kur ky organ po mbante një mbledhje për zgjedhjen e udhëheqësit të ri suprem të Iranit.
Këtë informacion për “Fox News” e ka konfirmuar një zyrtar izraelit i paemëruar, duke theksuar se objektivi kryesor i sulmit ishte këshilli drejtues përgjegjës për zgjedhjen e pasardhësit të Ajatollahut Ali Khamenei.
Sipas informacioneve të disponueshme, Izraeli ka kryer një goditje të drejtpërdrejtë në momentin kur po numëroheshin votat. Burimet bëjnë të ditur se sulmi ka ndodhur në çastin më të ndjeshëm të mundshëm, pikërisht gjatë procesit të numërimit për udhëheqësin e ardhshëm suprem, shkruan “Sky News”.
Edhe pse në momentin e goditjes nuk kanë qenë të pranishëm të gjithë anëtarët e Këshillit, ky sulm përbën një nga goditjet më serioze ndaj majës së sistemit politik dhe fetar iranian.
Agjencia iraniane e lajmeve “Mehr” ka konfirmuar se është goditur ndërtesa e Këshillit të Ekspertëve në Kom. Bëhet fjalë për një organ që ka si rol ekskluziv mbikëqyrjen, zgjedhjen dhe, nëse është e nevojshme, shkarkimin e udhëheqësit suprem, çka e bën atë një nga institucionet më të rëndësishme në vend. Në raportimin e saj, “Mehr” thekson se bëhet fjalë për një sulm të përbashkët amerikan-izraelit.
Përveç goditjes në Kom, e njëjta agjenci ka njoftuar në një komunikatë të veçantë se sulme ajrore janë regjistruar edhe në kryeqytet. Bombat kanë goditur zona në afërsi të Sheshit të Revolucionit në Teheran, duke përshkallëzuar më tej situatën.