“Koalicion i gjerë” në Prishtinë – nis prezantimi i drejtorëve në ekzekutivin “Rama 2”
Komuna e Prishtinë ka nisur prezantimin e drejtorëve të rinj, ndonëse kanë kaluar rreth 90 ditë nga betimi i Përparim Rama si kryetar i Kryeqytetit dhe rreth 60 ditë nga afati ligjor për emërimin e kabinetit qeverisës. Sokol Havolli bëri të ditur se do të vazhdojë të jetë në krye të Drejtorisë së Investimeve Kapitale.…
Lajme
Komuna e Prishtinë ka nisur prezantimin e drejtorëve të rinj, ndonëse kanë kaluar rreth 90 ditë nga betimi i Përparim Rama si kryetar i Kryeqytetit dhe rreth 60 ditë nga afati ligjor për emërimin e kabinetit qeverisës.
Sokol Havolli bëri të ditur se do të vazhdojë të jetë në krye të Drejtorisë së Investimeve Kapitale.
“Me nder dhe përgjegjësi të madhe kam pranuar emërimin në Drejtorinë e Investimeve Kapitale të Kryeqytetit për mandatin e dytë të Kryetarit Perparim Rama”, ka shkruar ai.
“Falënderoj Kryetarin Rama për besimin e dhënë për vazhdimin e punës nga viti i kaluar, si dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për mbështetjen e vazhdueshme. Nuk do të jem shpesh në zyrë, sepse puna ime është në terren, aty ku realizohen projektet, aty ku preken drejtpërdrejt nevojat e qytetarëve dhe aty ku investimet kapitale marrin formë konkrete”.
“Me përkushtim të plotë, do të punoj që çdo projekt të zbatohet me cilësi, efikasitet dhe përgjegjësi”, thuhet në postimin e tij.
Havolli kishte njoftuar më 27 shkurt se do të jetë sërish në krye të kësaj drejtorie, ndërsa në ueb-faqen e Komunës bëhet e ditur se Rama e ka futur këtë vendim në fuqi më 2 mars, raporton Telegrafi.
Po më 27 shkurt, Gent Begolli nga partia Lidhja për Prishtinën, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, ka bërë të ditur se është emëruar drejtor në Drejtorinë e Kadastrit dhe Legalizimit.
“Është një përgjegjësi dhe nder i veçantë për mua të marr detyrën e Drejtorit të Kadastrës dhe Legalizimit në Komunën e Prishtinës. Falënderoj kryetarin Përparim Rama për besimin e dhënë, si dhe Lidhjen e Prishtinës, kryesuesin Kupina, kandidatët dhe asamblistët për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë këtij rrugëtimi politik dhe institucional”, ka shkruar ai.
“E pranoj këtë angazhim me përkushtim të plotë, me synimin që përmes punës profesionale, transparencës dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët të kontribuoj në përmirësimin e shërbimeve dhe zgjidhjen efikase të çështjeve që lidhen me kadastrën dhe procesin e legalizimit”.
“Besoj fuqishëm se vetëm përmes punës serioze, bashkëpunimit institucional dhe përgjegjësisë publike mund të ndërtojmë një administratë më funksionale dhe më afër qytetarëve të Prishtinës”, përfundon postimi i Begollit.
Vlen të theksohet se kjo parti mban edhe drejtimin e Kuvendit Komunal, me kryesues Fehmi Kupina.
Driton Bardheci nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është emëruar drejtor në Drejtorinë e Administratës. Ai më herët ka ushtruar detyrën e zëvendësministrit të Arsimit në Qeverinë Haradinaj.
Donat Gashi nga partia Nisma Socialdemokrate ka marr pozitën e Drejtorit të Drejtorisë së Rinisë, derisa Komuna e Prishtinës po ashtu ka themeluar edhe Drejtorinë e Turizmit, e cila do të drejtohet nga Rrezarta Aliu.
Janë bërë edhe disa emërime të tjera, ku Vehbi Mujku, do të jetë në pozitën e Këshilltarit për Mirëqenie Sociale, ndërsa Enver Bajrami, emërohet në pozitën e Këshilltarit të Ramës. Mimoza Sylejmani, do të jetë në pozitën e Këshilltares për planifikim të Kryetarit të Kryeqytetit.
Në bazë të këtyre emërimeve, përveç Lidhjes për Prishtinën, LDK në Prishtinë do të jetë në koalicion edhe me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate, çka nënkupton se partia fituese do ta menaxhojë Kryeqytetin me tre partnerë koalicioni, ndërsa raportohet se pritet t’u bashkohet edhe PDK.
Në ueb-faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës vazhdojnë të figurojnë emrat e disa drejtorëve që kanë qenë pjesë e ekzekutivit “Rama 1”, ndërsa mbetet të shihet se cilët prej tyre do të jenë pjesë e mandatit të ri “Rama 2”.
