​Dëshmitari e pranon se Bislim Zyrapi vet e kishte bërë publike se do të intervistohej nga stafi i ZPS-së

Dëshmitari i parë në rastin “Thaçi 2” ka pohuar se Bislim Zyrapi e kishte pranuar publikisht se do të intervistohej nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ai po vazhdon të përgjigjet në kundërpyetjet e avokates së Thaçit, Sophie Menegon. Dëshmitari, i cili mban kodin 7, u bë e ditur se është pjesë e stafit të…

Lajme

02/03/2026 13:49

Dëshmitari i parë në rastin “Thaçi 2” ka pohuar se Bislim Zyrapi e kishte pranuar publikisht se do të intervistohej nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ai po vazhdon të përgjigjet në kundërpyetjet e avokates së Thaçit, Sophie Menegon.

Dëshmitari, i cili mban kodin 7, u bë e ditur se është pjesë e stafit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Seanca e cila filloi në orën 09:30, që për publikun transmetohet me 45 minuta vonesë, disa herë ka kaluar në seancë private.

Avokatja: Pse nuk kërkoi masa mbrojtëse ai [dëshmitari Bislim Zyrapi]?

Dëshmitari: Zotëri Zyrapi po ashtu është një figurë e njohur dhe publike në Kosovë dhe ka dhënë dëshmi përpara gjykatave ndërkombëtare edhe përpara se të vinte këtu.

Avokatja: A ka dhënë ai dëshmi në gjykatat në Kosovë përpara se të vinte këtu?

Dëshmitari: Nuk e di, nuk mund të ju flas për këtë. Por e di që ka dhënë dëshmi përpara Tribunalit të ish-Jugosllavisë.

Avokatja: A është e vërtetë me sa keni ju dijeni që zotëri Zyrapi ka komentuar për ngjarjet e 1998, 1999 dhe organizimin e UÇK-së në media?

Dëshmitari: Po”, u përgjigj dëshmitari me kodin 7.

Ky dëshmitar pohoi se Zyrapi e kishte konfirmuar për mediat në korrik të vitit 2019 që do të intervistohej prej ZPS-së.

Avokatja: A pajtoheni me mua që vet zotëri Zyrapi publikisht ka pranuar që të intervistohej prej ZPS-së?

Dëshmitari: Po, pajtohem me ju”, u përgjigj dëshmitari.

Paraprakisht, dëshmitari me kodin 7 ishte pyetur nga avokatja Sophie Menegon edhe lidhur me dëshminë e Rrustem Mustafës, se pse ai kishte dëshminë pa masa mbrojtëse.

Gjatë kundërpyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, dëshmitari tha se Rrustem Mustafa dhe Bislim Zyrapi janë intervistuar lidhur me ndërhyrjen e pretenduar në këtë rast.

Pesëshja e akuzuar për pengim të drejtësisë janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.

Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte.