Operacioni “SYRIGANA”: Policia jep detaje për arrestimin e pesë personave për krime lufte në Skenderaj

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka njoftuar se ka realizuar me sukses operacionin policor të koduar “SYRIGANA”, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile. Hetuesit e Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës zbatuan një hetim të detajuar lidhur me vrasjen…

Lajme

01/03/2026 11:19

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka njoftuar se ka realizuar me sukses operacionin policor të koduar “SYRIGANA”, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Hetuesit e Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës zbatuan një hetim të detajuar lidhur me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998. Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale dhe dëshmi të besueshme, të cilat kanë mundësuar identifikimin dhe kallëzimin penal të të dyshuarve.

Sot, më 1 mars, duke filluar nga ora 06:00, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur nga Njësia Speciale Operative, zbatuan planin operativ në gjashtë lokacione të ndara – pesë në Skenderaj dhe një në Mitrovicën e Veriut – duke rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar.

Gjatë bastisjeve, të autorizuara nga prokurori special dhe gjyqtari i procedurës paraprake, janë konfiskuar armë të ndryshme, karikatorë, fishekë, një pushkë gjuetie, si dhe uniforma dhe pajisje të ish-ushtrisë jugosllave.

Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejshme ligjore.

Derisa Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale theksojnë se mbeten të përkushtuar në zbardhjen e krimeve të luftës dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë, duke garantuar sundimin e ligjit dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

Ndërkaq ky operacion i madh demonstron se krimet e së kaluarës nuk harrohen, dhe se institucionet e Kosovës janë të vendosura të ndjekin drejtësinë për çdo shkelje të ligjit gjatë luftës. /Lajmi.net/