Policia e Kosovës i përgënjeshtron raportimet e mediave serbe se disa shqiptarë me maska kanë sulmuar policinë serbe: Nuk ka dëshmi apo të dhëna zyrtare për ndonjë rast të tillë
Policia e Kosovës ka reaguar ndaj disa raportimeve të publikuara në media dhe qarqe serbe, duke i cilësuar ato si dezinformata lidhur me një incident të pretenduar në zonën kufitare me Serbinë. Sipas këtyre raportimeve, persona të maskuar shqiptarë kinse kishin vendosur pengesa në rrugë dhe më pas kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim…
Lajme
Policia e Kosovës ka reaguar ndaj disa raportimeve të publikuara në media dhe qarqe serbe, duke i cilësuar ato si dezinformata lidhur me një incident të pretenduar në zonën kufitare me Serbinë.
Sipas këtyre raportimeve, persona të maskuar shqiptarë kinse kishin vendosur pengesa në rrugë dhe më pas kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të policisë serbe në zonën Madljika, në të ashtuquajturën Zonë Tokësore të Sigurisë në Serbinë jugore, transmeton lajmi.net.
Policia e Kosovës thekson se pas verifikimeve institucionale dhe ndërmarrjes së të gjitha masave të nevojshme, nuk ka asnjë dëshmi apo të dhënë zyrtare që konfirmon një ngjarje të tillë në brezin kufitar.
Në reagim thuhet se lajmi i fundit është i ngjashëm me një raportim të 7 shkurtit 2026, ku pretendohej se më 5 shkurt kishte pasur të shtëna me armë automatike në drejtim të Policisë së Serbisë në fshatin Parada të Kurshumlisë, me pretendimin se autorët ishin larguar drejt territorit të Kosovës. Sipas Policisë së Kosovës, bëhet fjalë për të njëjtën zonë, përkatësisht fshatin Reqicë në territorin e Republikës së Kosovës, çka shton dyshimet për, siç thuhet, një orkestrim të qëllimshëm të dezinformatave.
Autoritetet kosovare bëjnë të ditur se deri më tani, bazuar në të gjitha burimet në dispozicion, nuk ka asnjë konfirmim se incidente të tilla kanë ndodhur, qoftë ditën e djeshme apo më 5 shkurt 2026. Për situatën është njoftuar edhe KFOR-i.
Policia e Kosovës nënvizon se bashkëpunon ngushtë me institucionet e sigurisë, përfshirë KFOR-in, me të cilin realizon patrullime të përbashkëta në brezin kufitar. Ajo rithekson përkushtimin për garantimin e sigurisë dhe rendit kushtetues, si dhe për informimin e drejtë të qytetarëve me qëllim parandalimin e përhapjes së lajmeve të rreme.
Njoftimi i plotë: