Ekstradohet nga Dubai në Shqipëri Durim Bami, kreu i grupit kriminal të Niklës
Durim Bami, i akuzuar nga Prokuroria e Posaçme si drejtues i një grupi kriminal që vepron në zonën e Niklës, është ekstraduar nga Dubai. Këto janë pamjet kur ai është pritur në rinas dhe më pas është shoqëruar drejt burgut nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. SPAK thotë se komunikimet në aplikacionin…
Lajme
Durim Bami, i akuzuar nga Prokuroria e Posaçme si drejtues i një grupi kriminal që vepron në zonën e Niklës, është ekstraduar nga Dubai. Këto janë pamjet kur ai është pritur në rinas dhe më pas është shoqëruar drejt burgut nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
SPAK thotë se komunikimet në aplikacionin Sky e ekspozuan Bamin në drejtimin e një grupi kriminal, i cili gjatë viteve 2020–2021 siguroi kushtet dhe thuri plane për ekzekutimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, Erigers Mihasit dhe Tori Xheçukës.
Këto plane, sipas SPAK, ishin pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale.
Kjo pasi, për të njëjtën periudhë, Prokuroria e Posaçme ka çuar në gjyq disa persona, mes tyre ish-deputetin Ndoka, për dyshimet se u përpoqën të vrisnin Durim Bamin. Në një rast ai mbeti i plagosur.
Po ashtu, ndaj Bamit rëndon edhe akuza e kultivimit të kanabisit në zonat malore të Niklës, ku, po ashtu, prokurorët e posaçëm thonë se ai ka pasur rolin e drejtuesit të grupit kriminal.
Durim Bami u shpall në kërkim në maj të 2024-ës gjatë një operacioni të gjerë për ekzekutimin e mbi 50 masave të sigurisë për anëtarë të 6 grupeve kriminale që vepronin në Durrës, Nikël dhe Tiranë.
Prej më shumë se 1 viti, autoritetet shqiptare kanë arritur të ekstradojnë nga Dubai 10 personazhe të botës së krimit, mes tyre të konsideruar nga SPAK si drejtues të grupeve kriminale në vend, duke thyer kështu mitin e Dubait si vendi i sigurt i tyre.