​Mediumi italian thirrje Spallettit: Zhegrova duhet të jetë pika qendrore e Juventusit

Edon Zhegrova ishte një nga emrat më të përfolur të mbrëmjes së çmendur të së mërkurës për Juventusin, në sfidën dramatike kundër Galatasaray. Pavarësisht një rasti të humbur në sekondat e fundit që do ta kishte çuar rezultatin në 4-0, paraqitja e kosovarit mbetet një nga më bindëset e sezonit bardhezi. Gazeta italiane “TuttoSport” i…

Sport

26/02/2026 09:56

Edon Zhegrova ishte një nga emrat më të përfolur të mbrëmjes së çmendur të së mërkurës për Juventusin, në sfidën dramatike kundër Galatasaray. Pavarësisht një rasti të humbur në sekondat e fundit që do ta kishte çuar rezultatin në 4-0, paraqitja e kosovarit mbetet një nga më bindëset e sezonit bardhezi.

Gazeta italiane “TuttoSport” i ka kushtuar një artikull special paraqitjes së reprezentuesit kosovar.

“I hedhur në fushë nga trajneri Luciano Spalletti, Zhegrova përfitoi nga ndryshimi taktik që e nxori jashtë loje Francisco Conceição dhe Jonathan David, të cilët nuk arritën të lënë gjurmë. Në krahun e djathtë, Zhegrova u shndërrua në një “çekan” shpërthyes, i pakapshëm dhe konstant në presing”, shkruan TuttoSport.

Aksioni që solli golin e dytë të Juventusit, të realizuar nga Federico Gatti, mban firmën e tij. Driblim, ritëm dhe zgjedhje e saktë në momentin final, cilësi këto që e kishin bërë Juventusin të investonte tek ai verën e kaluar.

Në kohën shtesë, Zhegrova pati mundësinë të kurorëzonte mbrëmjen me gol, por u ndal nga portieri turk Uğurcan Çakır. Një njollë e vogël në një paraqitje të madhe, që nuk e zbeh aspak ndikimin e tij në lojë.

Pas një sezoni të kaluar të ndikuar nga dëmtimet, kosovari duket më në fund gati të marrë një rol qendror te Juventusi, thirrje të cilën ‘TuttoSport” ia bën edhe trajnerit Luciano Spalletti.

“Zhegrova mund dhe duhet të jetë një pika qendrore për të ardhmen bardhezi”, përfundon artikulli i kësaj gazete.

E në pritje të rrjedhës së tij te “Zonja e Vjetër”, Edonin po e presim krahëhapur edhe për ndeshjet vendimtare të Kosovës në muajit mars drejt Botërorit 2026 ku më 26 mars vjen përballja e madhe me Sllovakinë.