Aksion i Prokurorisë në Prishtinë: Dy persona ndalohen për mashtrim e falsifikim, sekuestrohen para dhe veturë luksoze

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas një hetimi disa mujor, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, janë ndaluar për 48 orë dy persona me inicialet M.M. dhe Z.J. Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë kryer veprat penale…

Lajme

25/02/2026 20:38

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas një hetimi disa mujor, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, janë ndaluar për 48 orë dy persona me inicialet M.M. dhe Z.J.

Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë kryer veprat penale “Mashtrimi” sipas nenit 323 të KPRK-së, “Falsifikim i dokumenteve” sipas nenit 390 të KPRK-së, si dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme” sipas nenit 395 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton lajmi.net

Rasti lidhet me një pronë të paluajtshme në zonën e Veternikut, me sipërfaqe prej 56 ari, për të cilën dyshohet se janë përdorur dokumente të falsifikuara me qëllim përfitimi të kundërligjshëm.

Në kuadër të veprimeve hetimore, autoritetet kanë sekuestruar një veturë në vlerë prej 50,000 deri në 60,000 euro, para të gatshme në shumën prej 20,000 euro, dokumente të ndryshme pronësore që dyshohet se janë të falsifikuara, si dhe katër telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në procedurën e mëtejshme.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve do të ndërmerren veprime të tjera ligjore, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës për zbardhjen e plotë të rastit./Lajmi.net/