Konjufca: Sa më i fortë bashkëpunimi me Shqipërinë, aq më e sigurt e ardhmja e Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se ka mirëpritur sot homologen e tij nga Shqipëria, znj. Elisa Spiropali. Konjufca theksoi se takimet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë thjesht bilaterale, por vëllazërore, duke u bazuar mbi historinë dhe fatin e përbashkët të dy shteteve.…
Lajme
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se ka mirëpritur sot homologen e tij nga Shqipëria, znj. Elisa Spiropali.
Konjufca theksoi se takimet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë thjesht bilaterale, por vëllazërore, duke u bazuar mbi historinë dhe fatin e përbashkët të dy shteteve. Gjatë diskutimeve, ministrat u fokusuan te thellimi i bashkëpunimit politik dhe ekonomik, koordinimi i qëndrimeve në politikën e jashtme, si dhe forcimi i kapaciteteve diplomatike të Kosovës.
Ai falënderoi Spiropalin dhe Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e ndihmës për avancimin e integrimit evropian, përfshirë shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave.
Ministri gjithashtu nënvizoi koordinimin e ngushtë për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, afrimin drejt Partneritetit për Paqe në kuadër të NATO-s dhe avancimin e rolit të vendit në arenën ndërkombëtare.
“E ardhmja jonë, ashtu si e kaluara, do të jenë të lidhura përgjithmonë. Sa më i fortë të jetë bashkëpunimi ynë, aq më e sigurt do të jetë rruga jonë drejt Bashkimit Evropian dhe drejt realizimit të aspiratave të kombit shqiptar”, shkroi Konjufca. /Lajmi.net/