Gjakovë dhe Gjilan: 8 policë pezullohen, hetimet e IPK-së zbulojnë dyshime për keqpërdorim dhe kallëzim të rremë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se përmes Departamentit të Hetimeve, ka rekomanduar suspendimin e tetë zyrtarëve policorë në dy raste të ndara, në qytetet e Gjakovës dhe Gjilanit. Rasti i parë lidhet me një incident në Gjakovë më 19 shkurt 2026, ku një qytetar u njoftua për një gjobë parkimi dhe pas vizitës…

Lajme

25/02/2026 15:19

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se përmes Departamentit të Hetimeve, ka rekomanduar suspendimin e tetë zyrtarëve policorë në dy raste të ndara, në qytetet e Gjakovës dhe Gjilanit.

Rasti i parë lidhet me një incident në Gjakovë më 19 shkurt 2026, ku një qytetar u njoftua për një gjobë parkimi dhe pas vizitës në stacionin policor, u arrestua si i dyshuar për kanosje. Hetuesit e IPK-së, pas analizimit të shkresave të rastit, raporteve të zyrtarëve dhe një audio-incizimi, konstatuan se raportet e policisë nuk përkojnë me atë që dëgjohet në incizim dhe dyshohet se janë të pasakta.

Në këtë rast, IPK ka rekomanduar suspendimin e gjashtë zyrtarëve të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor të Drejtorisë Rajonale të Gjakovës, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në rastin e dytë, në Gjilan, IPK rekomandoi suspendimin e dy zyrtarëve policorë. Hetimet për këtë rast po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, me dyshimin për veprën penale “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.

Hetuesit e IPK-së, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë, do të ndërmarrin veprime të mëtejshme për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me këto dy raste. /Lajmi.net/