Gruaja nga Vushtrria gënjeu se është dhunuar nga dy persona, pas ekzaminimit doli se nuk ka pasur asnjë dëmtim, dy burrat u liruan nga policia

Sot gjatë ditës u raportua se një grua në Vushtrri është ankuar në Polici se është dhunuar nga dy burra dhe policia u vu në aksion duke arrestuar dy të dyshuarit. Me vendim të prokurorit, fillimisht ata ishin ndaluar për 48 orë. Në lidhje me këtë rast, lajmi.net ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë…

Lajme

25/02/2026 14:15

Sot gjatë ditës u raportua se një grua në Vushtrri është ankuar në Polici se është dhunuar nga dy burra dhe policia u vu në aksion duke arrestuar dy të dyshuarit.

Me vendim të prokurorit, fillimisht ata ishin ndaluar për 48 orë. Në lidhje me këtë rast, lajmi.net ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë për të mësuar më shumë detaje.

Nga përgjigja e dhënë, Prokuroria thotë se pas ekzaminimit gjinekologjik, e dyshuara nuk ka pasur asnjë dëmtim në organet gjenitale.

Për shkak të kësaj, të dyshuarës me inicialet V.V i është hapur rast për kallëzim të rremë.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë  – Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka hapur rast për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” ndaj një personi me iniciale V.V., përkitazi me një denoncim të një dhunimi që e njëjta ka paraqitur ndaj dy personave. E njëjta ka deklaruar se është dhunuar nga dy burra, të cilët me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për dyzetë e tetë (48) orë. Me urdhër të prokurorit, personi që e ka denoncuar dhunimin është dërguar për ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku pas ekzaminimit tek e dëmtuara nuk janë konstatuar kurrfarë dëmtime në organet gjenitale, e për rrjedhojë nuk janë realizuar asnjëra nga elementet e veprave penale kundër integritetit seksual, e po ashtu asnjë vepre tjetër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare.”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e dhënë për lajmi.net nga Prokuroria.

Dy të dyshuarit janë liruar nga qendra e ndalimit./lajmi.net/