Shqipëria ende nuk ka vendosur se sa trupa do të dërgojë në Gazë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, foli në lidhje me dakordësinë e Shqipërisë për të marrë pjesë në fazën e parë të misionit për Gazën, duke kontribuar me oficerë në shtabin që do të krijohet posaçërisht për këtë operacion. Ai tha se detajet mbi numrin e pjesëmarrësve janë ende duke u diskutuar në koordinim me aleatët…

Lajme

25/02/2026 12:27

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, foli në lidhje me dakordësinë e Shqipërisë për të marrë pjesë në fazën e parë të misionit për Gazën, duke kontribuar me oficerë në shtabin që do të krijohet posaçërisht për këtë operacion. Ai tha se detajet mbi numrin e pjesëmarrësve janë ende duke u diskutuar në koordinim me aleatët dhe vendimi përfundimtar do të merret pas bisedimeve të shtabeve përkatëse.

“Shqipëria ka shprehur dakordësinë, kemi deklaruar pjesëmarrjen në fazën e parë në shtabin për Gazën dhe jemi duke punuar me aleatët tanë; nuk kemi përcaktuar ende numrin e pjesëmarrësve. Jemi në bashkëpunim me aleatët. Hartat që kanë qarkulluar nuk përbëjnë informacion zyrtar. Por ne po presim bisedimet me aleatët dhe jemi në bisedime sesi do kontribuohet. Do jenë bisedimet e shtabeve që do bisedojnë në vazhdimësi. Forcat tona operojnë nën ombrellën e një aleati më të madh”, tha Vengu.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, konfirmoi se vendi ka deklaruar pjesëmarrjen në fazën fillestare dhe po vijojnë konsultimet për përcaktimin e nivelit të plotë të kontributit, ndërsa planifikimi i dislokimit do të bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë./euronews.al