Konjufca: Koordinimi më i fortë mes Kosovës dhe Shqipërisë, e bën më të sigurtë rrugën tonë drejt BE-së
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca e ka pritur sot në takim në Kosovë, ministrën për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropalin. Pas këtij takimi, Konjufca dhe Spiropali kanë folur në një konferencë për media. Konjufca tha se takimet me homologët nga Shqipëria,…
Lajme
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca e ka pritur sot në takim në Kosovë, ministrën për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropalin.
Pas këtij takimi, Konjufca dhe Spiropali kanë folur në një konferencë për media.
Konjufca tha se takimet me homologët nga Shqipëria, nuk janë takime tipike bilaterale, pasi sipas tij pavarësisht Ministrive të Jashtme, Shqipëria dhe Kosova nuk janë të jashtme për njëra-tjetrën.
“Vendet tona janë shumë më tepër, dhe takime ttona janë yakime vëllazërore, takime mes shteteve të të njëjtit komb, që më shumë se interesa ndërshtetërore e ndajnë fatin e përbashkët historik dhe politik. Prandaj, sot kur flasim për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk flasim vetëm thjesht për marrëdhënie ndërqeveritare, flasim për përgjegjësinë e dy shteteve që i përkasin të njëjtit komb për ta përfaqësuar atë me dinjitet, në koordinim të vazhdueshëm dhe me një vizion të qartë evropian”, ka thënë Konjufca para mediave.
Ai ka thënë se sot kanë diskutuar për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinim të plotë në politikën e jashtme dhe për forcimin e kapaciteteve të brendshme diplomatike.
“Shumë punë që kanë ndërlidhur fortë politikat tona, janë bërë gjatë mandatit të Qeverive tona, e shumë të tjera presin që të bëhen gjatë këtij mandati. Kosova është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, të cilat ne i kemi nënshkruar gjatë viteve me Shqipërinë e ato janë mbi 140 dhe për afrimin e dy shteteve tona e po ashtu edhe të shoqërive tona në çdo fushë të jetës.”, ka thënë Konjufca.
Ai e ka falënderuar Spiropalin për mbështetjen që ka thënë se Shqipëria i ka dhënë Kosovës gjatë shtetndërtimit, por edhe përfaqësimin në arenën ndërkombëtare.
Konjufca ka thënë se është i bindur se koordinimi mes dy vendeve, do ta fuqizoj përpjekjen e Kosovës për anëtarësim edhe në KiE edhe për anëtarësimin tonë drejt NATO-s dhe organizatat tjera të rëndësishme.
“E ardhmja jonë, ashtu si e kaluara jonë do të jenë të lidhura gjithmonë. Sa më i fortë të jetë koordinimi ynë, aq më e sigurtë do të jetë rruga jonë drejt BE-së. Unë e përgëzoj me këtë rast Republikën e Shqipërisë, për këta hapa gjigand që i ka bërë sa i përket integrimeve evropiane. Ne duam ta japim poashtu të njëjtin shembull si Republika e Shqipërisë. Prandaj, gjithnjë bashkëpunojmë drejt përmbushjes së aspiratave të kombit shqiptar”, ka shtuar i pari i diplomacisë në Kosovë. /Lajmi.net/