Vuçiq vajton para Sorensenit: Prishtina ka për qëllim ta përshkallëzojë situatën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Prishtina ka për qëllim ta përshkallëzojë situatën, gjatë një takimi me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen. Në një postim në Instagram të mërkurën, Vuçiqi bëri të ditur se me Sorensenin ka zhvilluar një bisedë të hapur lidhur me rrjedhën…

Lajme

25/02/2026 11:12

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Prishtina ka për qëllim ta përshkallëzojë situatën, gjatë një takimi me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen.

Në një postim në Instagram të mërkurën, Vuçiqi bëri të ditur se me Sorensenin ka zhvilluar një bisedë të hapur lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut dhe vazhdimin e tij me përfshirje më aktive të BE-së.

Ai theksoi se ka ngritur shqetësimin për, siç u shpreh, pozitën e serbëve në Kosovë dhe ka paralajmëruar për atë që e quajti synim të Prishtinës për të zbatuar nga 15 marsi “vendime të reja përshkallëzuese dhe thellësisht diskriminuese”, të cilat sipas tij rrezikojnë mbijetesën e popullit serb, duke aluduar te hyrja në fuqi e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete.

Nëse hyn në fuqi nga 15 marsi, siç është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, Ligji për të Huajt parasheh që personat që mbajnë vetura me targa të huaja në Kosovë do të gjobiten nëse e tejkalojnë kufirin ligjor tremujor të qëndrimit në vend. E Ligji për Automjete thotë se personat që mbajnë vetura me targa të huaja në Kosovë do të gjobiten nëse e tejkalojnë kufirin ligjor tremujor të qëndrimit në vend.

Vuçiqi i ka kërkuar ndërkombëtarëve që t’i marrë seriozisht këto çështje dhe të bëjë gjithçka për të siguruar respektimin e të drejtave të serbëve. Ai gjithashtu ka kundërshtuar anëtarësimin e, siç e quajti, “të ashtuquajturës Kosovë” në aleancën ushtarake rajonale me Shqipërinë e Kroacinë, duke vlerësuar se një hap i tillë do të rriste tensionet dhe do të kërcënonte sigurinë.

Presidenti serb ka ritheksuar nevojën për ndërmarrjen e hapave konkretë drejt formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se serbët në Kosovë kanë 13 vjet që presin zbatimin e këtij obligimi.

Në fund, Vuçiq u shpreh se është në interesin e të gjitha palëve që të shmangen veprimet që çojnë në përshkallëzim dhe të insistohet, me ndërmjetësimin e BE-së, në zbatimin e plotë të obligimeve të marra dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në terren.

Para dy ditësh, Sorenseni qëndroi në Prishtinë ku pati takim me kryeministrin Albin Kurti.