Ministri Muja në Paris: Kosova synon bashkëpunim me Francën në bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Paris, ku po merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme evropiane në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Gjatë qëndrimit, Ministri Muja u takua me Ministren franceze të Bujqësisë, Annie Genevard, ku…

Lajme

24/02/2026 14:34

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Paris, ku po merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme evropiane në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Gjatë qëndrimit, Ministri Muja u takua me Ministren franceze të Bujqësisë, Annie Genevard, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit Kosovë–Francë në sektorin e bujqësisë, shkëmbimi i praktikave të mira dhe nxitja e investimeve të reja franceze në Kosovë.

Muja theksoi gatishmërinë për bashkëpunim konkret, duke vënë në fokus zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, menaxhimin e pyjeve dhe avancimin e zonave rurale, si prioritete kyçe për rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve.

Të dy ministrat shprehën interes për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e bashkëpunimit institucional, me qëllim arritjen e marrëveshjeve konkrete për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe zonave rurale në të dy vendet.

Vizita e Ministrit Muja në Paris vlerësohet si një hap i rëndësishëm për forcimin e partneritetit ndërkombëtar dhe promovimin e potencialit bujqësor të Kosovës në arenën evropiane. /Lajmi.net/