Maqedonci i përgjigjet Vuçiqit dhe Ushtrisë së Serbisë: Bashkëpunimi me Shqipërinë e Kroacinë s’është kërcënim për askënd
Duke folur për bashkëpunimin trelateral Kosovë–Shqipëri–Kroaci, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky bashkëpunim nuk ka për qëllim kërcënimin e askujt, duke përfshirë Serbinë. “Në asnjë rast ne nuk kemi krijuar këtë bashkëpunim për të kërcënuar askënd”, deklaroi ai, duke shtuar se sivjet do të mbahet një ushtrim i përbashkët ushtarak mes tri vendeve.…
Lajme
Duke folur për bashkëpunimin trelateral Kosovë–Shqipëri–Kroaci, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky bashkëpunim nuk ka për qëllim kërcënimin e askujt, duke përfshirë Serbinë.
“Në asnjë rast ne nuk kemi krijuar këtë bashkëpunim për të kërcënuar askënd”, deklaroi ai, duke shtuar se sivjet do të mbahet një ushtrim i përbashkët ushtarak mes tri vendeve.
Duke folur për deklaratën e përbashkët të nënshkruar mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes, Maqedonci theksoi se ky bashkëpunim nuk është i drejtuar kundër asnjë shteti.
“Ne në asnjë rast kur kemi nënshkruar atë deklaratë të përbashkët nuk kemi pasur synim që të adresojmë një kërcënim specifik”, u shpreh ai.
Sipas tij, tri vendet ndajnë interesa dhe vlera të përbashkëta dhe synojnë rritjen e bashkëpunimit përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta.
“Jemi dakorduar që të rrisim bashkëpunimin në shumë fusha, duke filluar nga trajnimet dhe ushtrimet e përbashkëta. Sivjet do të ketë ushtrim të përbashkët të tri vendeve për herë të parë, në mënyrë të organizuar dhe të sinkronizuar bashkërisht”, tha Maqedonci në një intervistë për Telegrafin.
Ai konfirmoi se ideja është që ushtrimi i parë i përbashkët të mbahet në Kroaci.
Ministri reagoi edhe ndaj deklarimeve nga presidenti i Serbisë dhe zyrtarë të Ushtrisë serbe, të cilët e cilësuan këtë bashkëpunim si kërcënim.
“Në asnjë rast ne nuk kemi krijuar këtë bashkëpunim për të kërcënuar askënd”, përsëriti ai.
Maqedonci hodhi poshtë edhe pretendimet se modernizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës përbën rrezik për serbët e Kosovës.
“Ne nuk armatosemi dhe nuk përgatitemi për të kërcënuar askënd, dhe veçanërisht komunitetin serb në Kosovë”, tha ai.
Ministri shtoi se serbët janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe pjesë e shtetit.
“Serbët e Kosovës janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe ne kemi obligim t’i mbrojmë ata siç mbrojmë të gjitha komunitetet”, u shpreh Maqedonci.
Ai theksoi se edhe brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës ka pjesëtarë nga komuniteti serb, duke nënvizuar se FSK është institucion i të gjithë qytetarëve të vendit.
Sipas tij, pretendimet nga Serbia përbëjnë më shumë përpjekje për rritje tensionesh sesa reflektim të realitetit në terren.
“Deklarata të tilla kanë synim destabilizim dhe rritje tensionesh”, theksoi ai, duke shtuar se misioni i FSK-së është mbrojtja e territorit dhe e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
Synimi është NATO-ja
Në fund, Maqedonci theksoi se të gjitha reformat dhe investimet në FSK kanë një qëllim strategjik.
“Qëllimi ynë është që kapacitetet tona të jenë kompatibile me NATO-n”, deklaroi ai, duke e cilësuar anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike si objektiv strategjik të Kosovës.