Hodaj: Ka një trend të rritjes së ankesave të qytetarëve ndaj zyrtarëve policor
Kushtrim Hodaj, kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë dy muajve të parë të vitit, Inspektorati ka vazhduar të trajtojë një numër të konsiderueshëm aktivitetesh që lidhen me pranimin dhe shqyrtimin e ankesave të qytetarëve, si dhe hetimet ndaj zyrtarëve policor të dyshuar për vepra penale ose shkelje të rënda…
Lajme
Kushtrim Hodaj, kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë dy muajve të parë të vitit, Inspektorati ka vazhduar të trajtojë një numër të konsiderueshëm aktivitetesh që lidhen me pranimin dhe shqyrtimin e ankesave të qytetarëve, si dhe hetimet ndaj zyrtarëve policor të dyshuar për vepra penale ose shkelje të rënda disiplinore.
Ai, ka theksuar se rastet më të shpeshta përfshijnë keqpërdorim të pozitës zyrtare, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës, manipulim me prova, kanosje, shkaktim të lëndimeve trupore dhe aksidente në trafik.
“Këto janë rastet për të cilat qytetarët ankohen më shumë, dhe në të cilat ne kemi ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve policor”, ka thënë Hodaj, duke shtuar se masat e suspendimit ndaj policëve varen nga natyra e rastit.
Hodaj ka sqaruar se suspendimi aplikohet kur qëndrimi i zyrtarit policor mund të pengojë procesin hetimor ose të dëmtojë imazhin e Policisë.
“Suspendimi në fazën e hetimeve bëhet për interes të procedurave hetimore”, ka shtuar ai në Dukagjin.
Ai gjithashtu ka njoftuar se zyrtarët policor, përveç trajnimeve bazike, ndjekin edhe kurse për menaxhimin dhe de-eskalimin e situatave të tensionuara.
Hodaj ka theksuar se ka një trend rritjeje të ankesave të qytetarëve, të cilin e sheh si pasojë të rritjes së vetëdijes së qytetarëve për të raportuar shkeljet.