Rexhep Selimi: Nuk e di kur do kthehem në Kosovë, për të jam i gatshëm të jap jetën
Ish-komandanti i UÇK-së, Rexhep Selimi, foli sot me emocion në fjalën e tij përfundimtare në gjykatën e Hagës, duke rikujtuar përkushtimin e tij të palëkundur për Kosovën e lirë. Selimi deklaroi se, edhe pse nuk e di se kur do të kthehet në Kosovë pasi kjo varet nga vendimi i gjykatës, ai është i vendosur…
Lajme
Ish-komandanti i UÇK-së, Rexhep Selimi, foli sot me emocion në fjalën e tij përfundimtare në gjykatën e Hagës, duke rikujtuar përkushtimin e tij të palëkundur për Kosovën e lirë.
Selimi deklaroi se, edhe pse nuk e di se kur do të kthehet në Kosovë pasi kjo varet nga vendimi i gjykatës, ai është i vendosur të kthehet në vendin e tij të shenjtë.
“Jam i bindur se bëmë gjënë e duhur, edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë. Na mbështeti NATO dhe vendet tuaja. Prokuroria kërkon dënime jashtëzakonisht të rënda, aq të gjata sa synojnë të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë. Koha se kur do të kthehem, tash e tutje, varet nga vendimi juaj. Por prokuroria duhet ta ketë kuptuar se, kurdo që të kthehem, unë do të kthehem në Kosovën e lirë”, tha Selimi, shkruan lajmi.net.
Ai shtoi se është krenar për kontributin e tij gjatë kohës së luftës dhe për lirinë e Kosovës, për të cilën është i gatshëm të japë jetën: “Në Kosovën për të cilën jam krenar që i dola zot në kohën më të duhur dhe për lirinë e së cilës jam i gatshëm të jap jetën”, deklaroi ish-komandanti i UÇK-së.
Fjalimi i tij ishte një mesazh i fuqishëm për vendosmërinë dhe dashurinë për atdheun, duke rikujtuar rolin e tij dhe të luftëtarëve të UÇK-së në arritjen e pavarësisë së Kosovës. /Lajmi.net/