Rexhep Selimi në fjalën përfundimtare në ZPS: Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi
Në ditën e fjalës përfundimtare në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Rexhep Selimi u shpreh fuqishëm se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi dhe mbrojti me vendosmëri luftën e UÇK-së për çlirimin e vendit. “Është hera e tretë që flas dhe shpresoj që të jetë e fundit që marr…
Lajme
Në ditën e fjalës përfundimtare në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Rexhep Selimi u shpreh fuqishëm se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi dhe mbrojti me vendosmëri luftën e UÇK-së për çlirimin e vendit.
“Është hera e tretë që flas dhe shpresoj që të jetë e fundit që marr fjalën në këtë seancë gjyqi. Kanë kaluar më shumë se pesë vjet nga fillimi i këtij procesi gjyqësor. Këto pesë vite nuk kanë qenë të lehta për ne, por as të parëndësishme për historinë e vendit tim. Megjithatë, le të shërbejë kjo si një mundësi dhe shans i mirë për drejtësi. Pas gjithë këtyre viteve, ka edhe një element pozitiv: rrjedha e procesit ka treguar se lufta jonë ishte e drejtë dhe pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë”, tha Selimi, shkruan lajmi.net.
Ai theksoi se nuk ka ardhur për të mbrojtur veten:
“Unë nuk jam ngritur sot këtu për të mbrojtur veten time, sepse këtë e kanë bërë avokatët e mi. Nuk jam këtu as për t’ju treguar për drejtësinë, sepse ju e dini më mirë se kushdo. Sot jam këtu për t’ju kërkuar që të ushtroni drejtësinë. Edhe pse kanë kaluar pothuaj tri vite nga fillimi i këtij procesi prokurorial, prokuroria ka vazhduar të mbështetet në pretendime pa bazë dhe përpjekje për t’i njollosur luftën çlirimtare.”
Selimi kritikoi mënyrën se si prokuroria ka trajtuar shtabin e përgjithshëm të UÇK-së dhe qëllimin e saj për pavarësinë e Kosovës. Ai vuri në dukje se disa pretendime të prokurorisë, siç ishte ndarja e qytetarëve kosovarë në ata që ishin për pavarësi dhe ata që mbështesnin autonominë, janë të pavërteta dhe tentojnë të krijojnë përçarje mes shqiptarëve, transmeton lajmi.net.
Teksa lidhur me këtë Selimi edhe ka cituar ZPS-në:
“Shtabi i përgjithshëm kërkonte pavarësinë apo me tutje Shtabi i përgjithshëm deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë”, citim nga ZPS.
“Ta paraqesësh mbështetjen për pavarësi si kërkesë radikale dhe autonominë si moderne është sulm jo vetëm ndaj historisë së Kosovës, por edhe ndaj të ardhmes së saj. Përpjekja për ta barazuar UÇK-në me krimet e Serbisë është e padrejtë dhe e papranueshme. Lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtypjen dhe planin kriminal të Serbisë. Të vendosësh në të njëjtin rrafsh rezistencën e popullit të shtypur me projektin e shtypësit është një barazim i pasaktë dhe thellësisht i padrejtë”, tha Selimi.
Ai gjithashtu e denoncoi përpjekjen e prokurorisë për të ndryshuar faktet historike: “Të përpiqesh të ndërhysh në historinë e Kosovës përmes pretendimeve të shtrembëruara është një përpjekje për të rishkruar historinë. Por historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër jo në një sallë gjyqi.”
Tutje Rexhepi tha se po aç problematike është përpjekja e Prokurorisë për ta ndarë shoqërinë e Kosovës në 2sh “në ata qe ishin për pavarësi dhe ata ishin për autonomi sikur të donte që me çdo kusht të krijonte përçarje mes qytetarëve të republikës së Kosovës, për ta ilustruar këtë po parafrazoj atë qe prokuroria paraqiti në prova javën e kaluar, citon:
“Shtabi i përgjithshëm kërkonte pavarësinë e Kosovës, partitë politike që mbështesnin autonomin konsideroheshin tradhtare”, të nderuar në Kosovë s’ka pasur kurrë parti politike shqiptare qe ishte kundër pavarësisë dhe rrjedhimisht asnjë qe e mbështeste ndonjë autonomi në Serbi të gjitha partitë shqiptare ishin për pavarësi ashtu siç ishte edhe vet qëllmi i UÇK-së”.
Selimi përfundoi fjalimin e tij duke rikujtuar misionin e UÇK-së: “Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së dhe lufta jonë kishin vetëm një qëllim: pavarësinë e Kosovës. Asnjë parti politike shqiptare nuk ka qenë kundër pavarësisë, dhe të gjithë luftuam për këtë qëllim të shenjtë. Askush nuk mund të barazojë luftën çlirimtare me krimet e okupatorit.”
Fjalimi i Rexhep Selimit u prit me vëmendje në sallë, duke treguar vendosmërinë dhe krenarinë e tij për rolin në UÇK dhe për sakrificat e popullit kosovar gjatë luftës për liri. /Lajmi.net/