Përfundon marshi i madh mbështetës për drejtuesit e UÇK-së

Qindra mijëra qytetarë nga të gjitha trevat e Kosovës u mblodhën në Prishtinë për të protestuar dhe marshuar në mbështetje të UÇK-së në ditën e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Sheshet e kryeqytetit u mbushën me pjesëmarrës, ndërsa pamjet nga ajri shfaqnin një tablo kuqezi, me flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së. Organizatorët e marshit…

Lajme

17/02/2026 15:25

Qindra mijëra qytetarë nga të gjitha trevat e Kosovës u mblodhën në Prishtinë për të protestuar dhe marshuar në mbështetje të UÇK-së në ditën e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Sheshet e kryeqytetit u mbushën me pjesëmarrës, ndërsa pamjet nga ajri shfaqnin një tablo kuqezi, me flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së. Organizatorët e marshit theksuan se tubimi ishte një reagim qytetar në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke e cilësuar procesin si sfidë për themelet e shtetësisë së Kosovës, raporton lajmi.net

Në marsh ishte e pranishme edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila qëndroi në rreshtin e parë përkrah Endri Thaçit, djalit të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se drejtuesit e UÇK-së që ndodhen në Hagë priten të rikthehen në Kosovë si të pafajshëm.
“Ja ka vlejt çdo sakrificë. Jemi me ta, krejt populli është me ta. I presim të lirë dhe të pafajshëm me ardhë në Kosovë. Shqiptarët janë bashkë, për komb e atdhe, dhe luftëtarët”, tha Haradinaj.

Marshi nisi me një videoprezantim ku u shfaqën deklarata të dëshmitarëve ndërkombëtarë të mbrojtjes, përfshirë Wesley Clark dhe James Rubin, lidhur me karakterin e luftës çlirimtare të Kosovës. Më pas, aktiviteti vijoi me performanca muzikore, ndër to edhe nga këngëtari Ilir Shaqiri.

Organizatori i marshit “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, u shpreh se 17 Shkurti është jo vetëm festë, por edhe kujtesë e shpalljes së shtetit dhe sakrificës për liri.
“Duhet ta themi qartë dallimin mes agresorit dhe viktimës. UÇK-ja nuk lindi për të marrë tokë të huaj, por për ta mbrojtur tokën e vet. Kjo është e vërteta historike që nuk mund të ndryshohet,” tha ai.

Marshi zgjati rreth një orë dhe përfundoi pa incidente, ndërsa qytetarët u shpërndanë të qetë nga qendra e kryeqytetit./Lajmi.net/