Qytetarët kërkojnë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, bëjnë thirrje për shpërbërjen e Speciales
Mijëra qytetarë kanë mbushur sheshet e Prishtinës për të marshuar në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Ndër qytetarët që ka pyetur KosovaPress janë optimistë për lirimin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve, derisa e quajnë Gjykatën Speciale të padrejtë. Muhamet Elshani, i cili kishte ardhur në kryeqytet nga Prizreni, tha…
Lajme
Mijëra qytetarë kanë mbushur sheshet e Prishtinës për të marshuar në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ndër qytetarët që ka pyetur KosovaPress janë optimistë për lirimin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve, derisa e quajnë Gjykatën Speciale të padrejtë.
Muhamet Elshani, i cili kishte ardhur në kryeqytet nga Prizreni, tha se ish-krerët e UÇK-së s’kanë bërë krime, derisa porositi qeverinë e Kosovës që pas protestës ta shpërbëjë Specialen.
“Prej protestës presim me kuptua ata horrat e Hagës që populli i do këta dhe s’kanë bërë krime. Presim edhe diçka tjetër që qeveria jonë i ka mbyllë sytë dhe hundët. Është dashur me marrë një vendim pas kësaj proteste që me shpërbërë atë gjykatë që po bën padrejtësi. Kjo është shpresa jonë që ata kanë me ardhur”, tha ai.
Pjesë e protestës ishte edhe Mefail Elshani, ish-zëvendëskomandant i Brigadës 60 të UÇK-së, i cili tha se pret lirimin e bashkëluftëtarëve të tij.
Ai gjykimin në Hagë e konsideron si një proces të montuar prej Serbisë dhe Rusisë.
“Presim lirimin e bashkëluftëtarëve tonë që i kemi në Hagë, pasi ata po mbahen padrejtësisht. Është një proces i montuar prej Serbisë dhe Rusisë dhe dashakeqëve të luftës së Kosovës. Gjyq më i padrejtë se me iu nda dënimi dikujt ende pa përfunduar procesi gjyqësor, veçse dihen skenarët që i kanë përgatitur kundër Kosovës”, deklaroi ai.
Qytetari tjetër, Ibrahim Hasani, i cili ka ardhur nga Podujeva për të marshuar në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, tha se nëse ka një gjykim të drejtë, Thaçi dhe të tjerët do të lirohen nga Specialja.
“Ishalla vetëm gjykim i drejtë, pasi vetëm kjo e bashkon popullin e jo partitë politike… Kjo është puro politike, nuk është drejtësi… Besoj që po dhe uroj me gjithë zemër”, tha ai.
Ndërkaq, Mehmet Hoti nga Rahoveci tha se kërkon drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
“Ishalla drejtësi”, tha shkurt ai.
Në marshin e organizuar nga “Liria ka Emër”, po marrin pjesë mijëra qytetarëm ndër ta edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani./kp