Kuvendi i Gjilanit mban seancë solemne në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Në nder të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e kryesueses Krenare Latifi-Kqiku, ka mbajtur një seancë solemne, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. Kryesuesja Latifi-Kqiku theksoi rëndësinë e kësaj dite historike dhe sakrificën e…

Lajme

17/02/2026 12:21

Në nder të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e kryesueses Krenare Latifi-Kqiku, ka mbajtur një seancë solemne, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Kryesuesja Latifi-Kqiku theksoi rëndësinë e kësaj dite historike dhe sakrificën e brezave të kaluar. “Sot jetojmë me dinjitet në një shtet të lirë, për të cilin kontribuan dhe sakrifikuan breza me dekada e shekuj. Për këtë ditë është dhënë shumë mund, shumë sakrificë dhe është derdhur shumë gjak, që Kosova të bëhej e lirë dhe e barabartë me shtetet e tjera të botës,” tha Latifi-Kqiku.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e përshkroi 17 shkurtin si realizimin e një ëndrre shekullore për një shtet të pavarur dhe sovran. “Kjo ditë mishëron sakrificën, guximin dhe idealin e brezave për liri. Është dita ku përulemi me respekt para dëshmorëve të kombit, familjeve që dhanë më të shtrenjten për lirinë tonë dhe para të gjithë atyre që kontribuan në rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt pavarësisë,” tha Hyseni.

Ndërkaq, ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, vlerësoi 17 shkurtin si përpjekje shekullore të popullit të Kosovës për liri. “Lufta jonë çlirimtare i ka vënë kurorën lirisë, në saje të angazhimit të njerëzve të devotshëm, patriotëve të vërtetë dhe luftëtarëve,” tha Isufi.

Gjatë seancës solemne, mesazhe për Ditën e Pavarësisë adresuan edhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Komunës: Muhadin Haziri (LDK), Riad Rashiti (PDK) dhe Nazim Gagica (AAK), duke përçuar mesazhe mirënjohjeje dhe respekti për sakrificën e dëshmorëve dhe kontributin e të gjithë qytetarëve për lirinë e Kosovës.

Seanca solemne e Kuvendit të Gjilanit rikujtoi rëndësinë e kësaj dite historike për qytetarët dhe institucionet, duke forcuar kujtesën kolektive për rrugën e gjatë drejt pavarësisë. /Lajmi.net/