18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, ky është programi i manifestimeve shtetërore
Republika e Kosovës nesër feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, me një seri manifestimesh solemne në gjithë vendin, të organizuara nga Zyra e Kryeministrit dhe institucionet shtetërore. Programi i manifestimeve nis që në mëngjes me ngritjen e Flamurit të Kosovës në oborrin e Qeverisë në orën 07:00, e më pas vazhdon me mbledhje solemne të…
Lajme
Republika e Kosovës nesër feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, me një seri manifestimesh solemne në gjithë vendin, të organizuara nga Zyra e Kryeministrit dhe institucionet shtetërore.
Programi i manifestimeve nis që në mëngjes me ngritjen e Flamurit të Kosovës në oborrin e Qeverisë në orën 07:00, e më pas vazhdon me mbledhje solemne të Qeverisë dhe nderime te Monumenti i të Pagjeturve, Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë, si dhe homazhe te varri i ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe i veprimtarit Adem Demaçi.
Në orën 09:00 është parashikuar vizita në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërsa në orën 10:30 nis seanca solemne e Kuvendit të Kosovës. Pasdite, programi përfshin nderime te Monumenti Heroinat dhe parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në rrugën Luan Haradinaj.
Në mbrëmje, nga ora 17:30, Presidentja e Kosovës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri do të presin mysafirë shtetërorë në pritje solemne, ndërsa ora 20:00 shënon koncertin solemn të Filharmonisë së Kosovës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.
Agjenda:
7:00 – Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës (Oborri i Qeverise)
7:20 – Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Ndërtesa e Qeverisë)
7:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve (Sheshi “Ibrahim Rugova”)
7:35 – Homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë (Oborri i Presidencës)
8:00 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova (Varrezat në Velani)
8:10 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi (Varrezat në Velani)
9:00 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz (Prekaz)
10:30 – Seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës (Kuvendi i Kosovës)
11:25 – Nderime te Monumenti Heroinat (Rr. Luan Haradinaj)
11:30 – Parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës (Rr. Luan Haradinaj)
17:30 – Pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës
20:00 – Koncert solemn i Filharmonisë së Kosovës (Salla e Kuqe – Pallati i Rinisë)./Lajmi.net/