Në këtë rast janë tre të akuzuar për sulmin terrorist që ndodhi në nëntor të 2024.
Jovan Viqentijeviq i cili është i akuzuar për spiunazh, së bashku me vëlluan Dragisha Viqentijeviq akuzohen edhe për rrezikim të rendit kushtetues e armëmbajtje pa leje.
Për veprën e fundit i akuzuar është edhe Igor Dimoviç.
Pas refuzimit të kërkësës së avokatit të Jovan Viqentijeviq, që të përjashtohet prokurori që hetoi këtë rast, Bekim Kodraliu, seaca e shqyrtimit fillestar është caktuar për të hënën e 16 shkurtit.
“E di se ndoshta nuk u pëlqen hetimi që unë kam zhvilluar në këtë rast por i njoftojë palët që sulmi terrorist ka qenë sulm profesional, dhe ka qenë i koordinuar në mënyrë të përsosur”, ka theksuar Bekim Kodraliu – Prokuror për Dukagjinin.
Në fillim të këtij viti, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj ka refuzuar kërkesën e avokatit, për përjashtim nga rasti penal.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”.
Në seancën që pritet të mbahet nesër, do të lexohet aktakuza ndaj të akuzuarve, e më pas secili ka të drejtë të deklarohet rreth fajësisë nëse e pranon apo jo. Për shpërthimin që ka ndodhur më 29 nëntor të 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut Prokuroria speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë për këtë rast në më 9 dhjetor të 2025 ndaj tre personave.
Për këtë aktakuzë, ekspertizë është kryer edhe nga Byroja Federale amerikane e Hetimit, FBI, duke dhënë prova të forta që lidhin të akuzuarit me sulmin terrorist.
Ky ishtë sulmi i dytë terrorist në Kosovë, pas atij që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të 2023.
Edhe për atë rast tre persona janë duke u gjykuar, por që shumë të tjerë përfshirë edhe kreun e grupit, Milan Radoiciq vazhdojnë të jenë në arrati e të pa kapshëm nga institucionet e drejtësisë.