Ish-zv.ministri Mjeku kritikon Përparim Ramën: Po e bllokon shtetin me Gjykatën Kushtetuese
Ish-zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Getoar Mjeku, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili sot tha se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Buxhetin 2026, nëse buxheti i Kryeqytetit injorohet në ndarjet financiare. Mjeku e quajti Ramën “bllokues të Prishtinës”, duke e akuzuar se po përdor taktika…
Lajme
Ish-zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Getoar Mjeku, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili sot tha se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Buxhetin 2026, nëse buxheti i Kryeqytetit injorohet në ndarjet financiare.
Mjeku e quajti Ramën “bllokues të Prishtinës”, duke e akuzuar se po përdor taktika të njëjta me ato të partive opozitare, LDK dhe PDK, për të bllokuar procese shtetërore përmes Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Mjekut, Rama ka dështuar disa herë të miratojë buxhetin e komunës brenda afatit dhe tani po përpiqet të “mbulojë dështimet” duke synuar pezullim të ligjit kryesor financiar të shtetit.
“Paralajmëron se ka me e çu në Kushtetuese ligjin për ndamjet buxhetore – me blloku krejt shtetin. Kjo është taktika e partisë së tij, LDK, dhe simotrës PDK”, ka shkruar Mjeku.
Ai e akuzoi Ramën dhe opozitën se e trajtojnë Kushtetutën si “barrikadë kundër demokracisë” dhe Gjykatën Kushtetuese si “vegël politike”, duke kujtuar se gjatë vitit 2025 disa ligje janë pezulluar ose vonuar për muaj të tërë.
Mjeku listoi një sërë ligjesh që, sipas tij, janë zvarritur pa arsye të arsyeshme në Gjykatë, përfshirë ligjin për pagën minimale, ligjin për çmimet e produkteve bazë dhe ligjin për Fondin Sovran, i cili po pret vlerësim tash e tre vjet.
Ai krahasoi Kosovën me shtetet e tjera evropiane, duke theksuar se askund tjetër vlerësimi kushtetues nuk vonohet për vite, as nuk përdoret si “veto kundër qeverisë së zgjedhur me shumicë absolute”.
Duke folur për Prishtinën, Mjeku tha se qyteti “po qeveriset pa përgjegjësi” dhe se “kushtetuta nuk është buton i dremitjes, por alarm për gjumashët”.
Paralajmërimi i kryetarit Përparim Rama
Më herët gjatë ditës, kryetari Përparim Rama paralajmëroi se do ta dërgojë Ligjin për Buxhetin 2026 në Gjykatën Kushtetuese, nëse qeveria e miraton pa përfshirë buxhetin e Kryeqytetit.
“Prishtina nuk është opsion anësor në buxhetin e Republikës. Kryeqyteti nuk duhet të sabohet”, tha Rama, duke paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi nga çdo autoritet qendror që, sipas tij, keqpërdor detyrën.
Ai theksoi se është i hapur për “zgjidhje institucionale të menjëhershme”, por nuk do të heshtë para, siç tha, “shkeljeve që dëmtojnë qytetarët e Prishtinës”.