Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kërkon nga deputetët rritje urgjente të buxhetit për ta

Sindikata e punëtorëve të Radiotelevizioni i Kosovës ka shprehur shqetësim serioz për gjendjen financiare të transmetuesit publik dhe për trajtimin, siç thuhet, të pabarabartë të punëtorëve të tij. Sipas sindikatës, RTK vazhdon të ketë një nga buxhetet më të ulëta në rajon për një transmetues publik kombëtar, duke operuar me kapacitete shumë më të kufizuara…

Lajme

15/02/2026 16:52

Sindikata e punëtorëve të Radiotelevizioni i Kosovës ka shprehur shqetësim serioz për gjendjen financiare të transmetuesit publik dhe për trajtimin, siç thuhet, të pabarabartë të punëtorëve të tij.

Sipas sindikatës, RTK vazhdon të ketë një nga buxhetet më të ulëta në rajon për një transmetues publik kombëtar, duke operuar me kapacitete shumë më të kufizuara krahasuar me transmetues si Hrvatska radiotelevizija, Radio i Televizija Crne Gore dhe Radio Televizioni Shqiptar.

Në reagim thuhet se mungesa e investimeve në teknologji dhe zhvillim programor ka krijuar një hendek profesional, ndërsa pagat e punëtorëve nuk janë rritur në mënyrë substanciale që nga viti 2006/2007, pavarësisht rritjes së kostos së jetesës. Sindikata ka shprehur shqetësim edhe për mundësinë e përjashtimit të punëtorëve të RTK-së nga pagesa e 13-të në sektorin publik, duke e cilësuar këtë si trajtim të pabarabartë nëse ndodh pa bazë të qartë ligjore.

Sindikata u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të rrisin urgjentisht buxhetin e RTK-së për të siguruar stabilitet financiar, investime në teknologji moderne, zhvillim programor dhe rritje pagash. Në të kundërtën, ajo ka paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve sindikale, përfshirë protesta dhe grevë të përgjithshme.

Komunikata e plotë:

Sindikata e punëtorëve të Radiotelevizioni i Kosovës shpreh shqetësim serioz për gjendjen financiare të transmetuesit publik dhe për trajtimin e pabarabartë që po u bëhet punëtorëve të tij.

RTK financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës, por buxheti i saj vazhdon të jetë ndër më të ultët në rajon për një transmetues publik kombëtar. Në krahasim me transmetues publikë si HRT, RTCG dhe RTSH, RTK operon me kapacitete dukshëm më të kufizuara financiare.

Mungesa e investimeve serioze në teknologji transmetimi dhe zhvillim programor ka krijuar hendek të rrezikshëm profesional. Një transmetues publik që nuk modernizohet, dobësohet. Një transmetues i dobësuar dëmton interesin publik.

Për më tepër, pagat e punëtorëve të RTK-së nuk janë rritur në mënyrë substanciale që nga viti 2006/2007. Në një realitet ekonomik ku kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm, stagnimi shumëvjeçar i pagave përbën trajtim të pabarabartë dhe cenon dinjitetin profesional të punëtorëve.

Sindikata shpreh shqetësim edhe lidhur me vendimet e fundit për pagesën e 13-të në sektorin publik. Nëse punonjësit e institucioneve të financuara nga buxheti i shtetit përfitojnë nga kjo masë, ndërsa punëtorët e RTK-së përjashtohen pa një arsyetim të qartë ligjor dhe proporcional, atëherë kemi të bëjmë me trajtim të pabarabartë në shpërndarjen e mjeteve publike.

RTK nuk mund të konsiderohet institucion publik vetëm kur kërkohet llogaridhënie, e të përjashtohet kur bëhet fjalë për mbështetje financiare dhe trajtim të barabartë të punëtorëve të saj.

Andaj, Sindikata u bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, veçanërisht anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, që të rrisin urgjentisht buxhetin e RTK-së në nivel që garanton:
• stabilitet financiar të qëndrueshëm,
• investime në teknologji moderne,
• zhvillim programor konkurrues,
• rritje të pagave dhe trajtim të barabartë në raport me sektorin publik.

Nëse këto kërkesa legjitime nuk reflektohen në vendimmarrje konkrete buxhetore, Sindikata paralajmëron ndërmarrjen e të gjitha formave ligjore të veprimit sindikal, përfshirë protesta publike dhe, nëse është e nevojshme, organizimin e grevës së përgjithshme.

Punëtorët e RTK-së nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë barazi para ligjit, financim të drejtë dhe respekt për misionin publik që e ushtrojnë çdo ditë.