“Një javë tejet domethënëse…” – Dëshmitari i Thaçit sfidon narrativen e Prokurorisë në Hagë
Ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, John Stewart Duncan, ka reaguar pas përfundimit të paraqitjes së fjalëve përmbyllëse të mbrojtjes në procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Përmes një reagimi publik në rrjetin social X, diplomati britanik e cilësoi periudhën e fundit si një moment me peshë të…
Lajme
Ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, John Stewart Duncan, ka reaguar pas përfundimit të paraqitjes së fjalëve përmbyllëse të mbrojtjes në procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Përmes një reagimi publik në rrjetin social X, diplomati britanik e cilësoi periudhën e fundit si një moment me peshë të veçantë për procesin gjyqësor, duke lënë të kuptohet se pret një përgjigje të drejtpërdrejtë nga Prokuroria lidhur me dëshminë e tij.
“Një javë tejet domethënëse në Dhomat e Specializuara. Pres me padurim që të dëgjoj prokurorinë të shpjegojë se si përmbledhja shumë e detajuar që e përmenda disa herë në dëshminë time përfaqëson ‘njohuri të pakta … mbi realitetin në terren’”, ka shkruar Duncan.
A fascinating week at @SpecialChambers I look forward to hearing the prosecution explain how the very detailed briefing I mentioned several times in my own testimony represents “Scant knowledge of … the reality on the ground” @MiseticLaw
— John Stewart Duncan (@jduncanUKF) February 14, 2026
Deklarata e tij vjen pasi Prokuroria kishte vënë në pikëpyetje vlerën e dëshmive të disa ish-diplomatëve dhe zyrtarëve ndërkombëtarë, duke argumentuar se informacionet e tyre mbi zhvillimet në Kosovë gjatë luftës ishin të kufizuara.
Duncan kishte dëshmuar në Hagë në shtator të vitit të kaluar, ku ndër të tjera kishte paraqitur pikëpamjen e tij mbi strukturën e UÇK-së, duke theksuar se ajo nuk funksiononte si një ushtri me zinxhir komandimi klasik dhe se Shtabi i Përgjithshëm kishte më tepër karakter politik sesa ushtarak.
Çka kishte dëshmuar në Hagë John Stewart Duncan?
John Stewart Duncan, ish-ambasador britanik dhe këshilltar i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, në dëshminë e tij dyditore në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka dhënë detaje për rolin e tij në negociatat për demilitarizimin e UÇK-së dhe për situatën në terren në verën e vitit 1999.
Ai deklaroi se ishte vetë hartuesi i draftit fillestar të marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së. “Unë isha i pranishëm sepse unë e kam shkruar tekstin e marrëveshjes”, tha Duncan, duke shpjeguar se dokumenti synonte ta vendoste UÇK-në nën kontrollin e NATO-s për të mos rrezikuar procesin e paqes. Sipas tij, një nga arsyet kryesore ishte që UÇK-ja të mos tërhiqej në male dhe të vepronte jashtë kontrollit ndërkombëtar: “Gjëja më e keqe që mund të ndodhte është që UÇK-ja të shkonte në male dhe nuk do t’i shihnim”.
Duncan theksoi gjithashtu se marrëveshja kishte edhe një dimension politik, pasi synonte të ndikonte në perceptimin ndërkombëtar ndaj UÇK-së. “Ne u thamë nënshkruani se kjo ju ndihmon, ju tregoni ndërkombëtarëve se ju jeni të përgjegjshëm”, deklaroi ai, duke shtuar se procesi do të ndihmonte që UÇK-ja të shihej si palë që pranonte marrëveshje paqeje.
Sa i përket strukturës së brendshme, ai u shpreh se UÇK-ja nuk kishte një zinxhir klasik komandimi. “Sipas meje, UÇK-ja nuk kishte një hierarki nga lart-poshtë, por ishte një forcë guerile”, tha Duncan, duke shtuar se “Shtabi i Përgjithshëm” ishte përdorur më shumë si term politik sesa si strukturë e mirëfilltë ushtarake.
Ai bëri dallim praktik mes roleve të figurave kryesore me të cilat ishte takuar gjatë negociatave, duke theksuar se Agim Çeku merrej me aspektet ushtarake, ndërsa Hashim Thaçi me ato politike. “Çeku ka folur vetëm për çështje ushtarake e asnjëherë politike… Thaçi ka folur vetëm për aspekte politike”, deklaroi ai.
Duke përshkruar situatën pas tërheqjes së forcave serbe, Duncan tha se vendi ishte në prag të kaosit institucional. “Popullata serbe që ishte larguar kishte lënë vendin në prag të anarkisë… Rendi publik kishte dalë jashtë kontrollit”, u shpreh ai, duke përmendur mungesën e policisë dhe prokurorisë funksionale. Ai foli edhe për akte hakmarrjeje në terren, por theksoi se nuk kishte parë pjesëtarë të UÇK-së të përfshirë në djegie shtëpish, duke iu përgjigjur shkurt: “Jo”.
Në lidhje me akuzat për spastrime etnike, Duncan u pajtua me një deklaratë të gjeneralit britanik Mike Jackson, duke thënë: “Po, në këtë rast po, pajtohem”, kur u pyet nëse kishte prova që UÇK-ja, si strukturë institucionale, kishte praktikë të tillë ndaj serbëve.
Në përmbyllje, ai theksoi se ndarja mes krahut politik dhe atij ushtarak nuk ishte formale, por funksionale. “Ju kërkoj ndjesë nëse keni krijuar përshtypjen se kishte ndarje të qartë… ata kishin role të veçanta”, tha Duncan, duke sqaruar se në organizata guerile një ndarje e tillë është e zakonshme./lajmi.net/