“Kupa e Pavarësisë” mbledh 60 sportistë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, po mbahet edicioni i 18-të i garës tradicionale “Kupa e Pavarësisë”, një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e sportit të shenjëtarisë në vend. Kjo garë e organizuar nga Federata e Shenjëtarisë Sportive e Kosovës, ka mbledhur rreth 60 sportistë nga Kosova,…

Sport

14/02/2026 13:01

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, po mbahet edicioni i 18-të i garës tradicionale “Kupa e Pavarësisë”, një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e sportit të shenjëtarisë në vend.

Kjo garë e organizuar nga Federata e Shenjëtarisë Sportive e Kosovës, ka mbledhur rreth 60 sportistë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Presidenti i Federatës së Shenjëtarisë në Kosovë (FSHK-së), Gëzim Hazrolli tha për KosovaPress, se gara “Kupa e Pavarësisë” është e fokusuar në disiplinat pushkë standarde dhe pistoletë standarde.

“Në këtë garë jemi Klubi i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, janë rreth 60 sportistë që do të marrin pjesë në këtë garë kryesisht organizohet me sportistë më cilësor. Jemi të fokusuar në disiplinat pushkë standarde dhe pistoletë standarde. Është disiplina pak më e ngritur në Sportin e Shenjëtarisë. Për shkak të kohës që nuk mund të zhvillohen faktikisht edhe disiplina të tjera sot jemi të fokusuar vetëm në këtë disiplinë. Disiplinën që sot jemi duke e bërë merr kohë 1 orë e 15 minuta gara pra është pjesa e përgatitjes po kryesisht ka edhe disiplina që zgjasin mbi 5 orë” , tha ai.

Hazrolli shtoi se kjo garë mbledh të gjithë sportistët më cilësorë të kategorisë absolute të ndarë në gjini. Ai thotë se gara organizohet nga Federata e Shenjtarisë së Kosovës, ndërsa sportistët pjesëmarrës shpërblehen me medalje.

“Gara organizohet nga Federata e Shenjëtarisë së Kosovës, pa diskutim që ne kemi mbështetje kryesore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Departamenti i Sportit por mbi të gjitha koordinimet bëhen edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës……. Shpërblimi kryesor është kupa që e fiton njëri nga ekipet në bazë të rezultateve të të gjithë garuesve. Por janë edhe shpërblimet e tjera me të mira materiale dhe medalje” – shtoi Hazrolli.

Ndërsa, presidenti i Federatës Shqiptare të Qitjes Sportive në Shqipëri, Stefan Rrufa, për KosovaPress tha se kjo garë tashmë është bërë traditë.

“Qitja ka ecur shumë përpara, qitja e Kosovës dhe qitja e Shqipërisë. Ne e kemi këtë garë pjesëmarrës që kanë marrë pjesë në kupa bote, në kampionate botërore, kemi edhe dy pjesëmarrës që kanë marrë pjesë edhe në olimpiada Driloni në Japoni dhe Manjola në Francë, një i Kosovës dhe një i Shqipërisë… .. Kjo është bërë një traditë është hera e 18të që vijmë ne këtu gjithashtu..Ne gjithmonë i kemi pasur projektet e përbashkëta, kemi zhvillu projekte të përbashkëta dhe do t’i zhvillojmë akoma më shumë”, tha Rrufa.

Drilon Ibrahimi, sportist edhe në garat e Lojërave Olimpike në Japoni, tha se është një emocion i veçantë marrja pjesë me garën Kupa e Pavarësisë, duke qenë se realizohet për ndër të ditës së Pavarësisë.

“Rrugëtimi im ka filluar rastësisht që nga 2004 merrem me sportin e shenjëtarisë, jam sportist elitar kam marrë pjesë edhe në garat olimpike në Japoni 2020, sportist që e përfaqësoi Kosovën në kampionate evropiane dhe botërore…… Kjo garë është për Pavarësinë e Kosovës, diçka që e kemi ëndërruar, kështu që është gara më e mirë që e kemi në Kosovë, është gara e Pavarësisë” – u shpreh Ibrahimi.

Ai në këtë sport luan në kategorinë e senior me pushkë standarde dhe nga gara “Kupa e Pavarësisë” pret të thyej edhe rekordin personal.

“Përgatitja si çdo sport duhet përgatitje ekstreme, sidomos para garave e kemi kur e shtojmë intensitetin e ushtrimeve për të marrë rezultate më të larta por edhe pas garës për të mos pasur rënie në rezultat…… Unë jam me pushkë standarde në kategorinë senior, pra kategoria më e lartë… Në këtë garë pres të kem rezultatin më të mirë që e kam pas ndonjëherë, të thyej edhe rekordin personal”, shtoi ai.

Në këtë edicion të 18-të të Garës “Kupa e Pavarësisë”, mysafirë kryesor janë Federata e Qitjes Sportive e Maqedonisë së Veriut dhe Federata Shqiptare e Qitjes.

“Kupa Pavarësia” është një nga aktivitetet më të rëndësishme vjetore në kalendarin e FSHSK-së, duke mbledhur sportistë dhe klube nga mbarë vendi.

Ky aktivitet synon promovimin e profesionalizmit, korrektësisë sportive dhe zhvillimin e vazhdueshëm të sportit të shenjëtarisë në Kosovë.