Avokatja e Jakup Krasniqit: ZPS nuk provoi autorësinë e dokumenteve dhe injoroi prova që nuk i përshtateshin narrativës

Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka hedhur poshtë pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke argumentuar se organi i akuzës nuk ka arritur të vërtetojë autorësinë, autenticitetin dhe besueshmërinë e materialeve të sekuestruara në nëntor 2020 në shtëpinë e tij. Avokatja Venkateswari Alagendra theksoi se klienti i saj ka qenë autor librash dhe se…

Lajme

13/02/2026 15:37

Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka hedhur poshtë pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke argumentuar se organi i akuzës nuk ka arritur të vërtetojë autorësinë, autenticitetin dhe besueshmërinë e materialeve të sekuestruara në nëntor 2020 në shtëpinë e tij.

Avokatja Venkateswari Alagendra theksoi se klienti i saj ka qenë autor librash dhe se materiali i mbledhur lidhej me hulumtime të pasluftës, transmeton lajmi.net.

“Prokuroria nuk merr parasysh provat se Krasniqi po mblidhte materiale në lidhje me UÇK-në pas luftës për të shkruar librin e tij dy dekada më parë”, tha ajo.

Sipas saj, fakti që Krasniqi nuk i ka shkatërruar dokumentet, pavarësisht se ishte në dijeni për hetimet, duhet të vlerësohet në favor të tij.

“Nëse Krasniqi do të kishte menduar se materialet hulumtuese dhe dokumentet e tjera në shtëpinë e tij do të ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, ku dhe ai bënte pjesë, apo që ishin inkriminues për të, pse t’i mbante ato. Fakti që i mbajti dhe nuk i shkatërroi duhet parë në favor të tij sepse ai është i bidur që është i pafajshëm”, deklaroi Alagendra.

Ajo kundërshtoi edhe interpretimin e Prokurorisë lidhur me deklaratat e mëhershme të Krasniqit.

“Ai asnjëherë nuk ka thënë se materialet e gjetura në shtëpinë e tij kanë qenë të shkruara prej tij. Ai në fakt ka pranuar se ka bërë disa shënime për të shkruar një libër, por kjo nuk do të thotë se domosdoshmërish materialet ishin për konfliktin. I përket Prokurorisë të vërtetojë se këto dokumente lidhen me akuzat përfshirë autorësinë e Krasniqit dhe të vërtetojnë autenticitetin dhe besueshmërinë e dokumenteve, diçka që nuk e kanë bërë deri më tani”, shtoi ajo.

Në vijim, mbrojtja akuzoi ZPS-në se ka shpërfillur prova që nuk i shkonin për shtat tezës së saj, veçanërisht sa i përket pozitës së Krasniqit në UÇK.

“Trupi gjykues ka marrë dëshmi të shumta se emërimi i Krasniqit si zëvendëskomandant nuk njihej në të gjitha nivelet e UÇK. Ai nuk njihej si zëvendëskomandant për mbështetje për ndërkombëtarët që kishte komunikim”, tha Alagendra.

Ajo shtoi se edhe dëshmitarë të Prokurorisë kanë konfirmuar se kjo pozitë ka qenë afatshkurtër dhe e kontestuar.

“Dëshmitarët e ZPS kanë konfirmuar se Krasniqi e ka mbajtur këtë post për një periudhë të shkurtër kohore, përafërsisht 3 muaj dhe ka dhënë dorëheqje më 27 shkurt 1999. Të njëjtët dëshmitarë të Prokurorisë thanë se emërimi i Krasniqit nuk u pranua asnjëherë, më saktë u kundërshtua nga komandantët e zonave. Prokuroria në dosje nuk i ka kundërshtuar këto fakte”, përfundoi ajo./lajmi.net/