LDK pasi nuk votuan Rezolutën për ish-krerët e UÇK-së: Do vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për viktimat, shteti të guxoj të përballet me të vërtetën
Mbrëmë në Kuvendin e Kosovës me 90 vota për është miratuar rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë. Por në këtë votim nuk morën pjesë deputetët e LDK-së, e në sallë nuk qëndruan as nga Lista Serbe derisa deputeti i vetëm që votoi kundër ishte Fatos Geci nga Lista…
Lajme
Mbrëmë në Kuvendin e Kosovës me 90 vota për është miratuar rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.
Por në këtë votim nuk morën pjesë deputetët e LDK-së, e në sallë nuk qëndruan as nga Lista Serbe derisa deputeti i vetëm që votoi kundër ishte Fatos Geci nga Lista Guxo.
E pasi shumë reaguan në lidhje me qëndrimin e LDK-së, i cili u pa si i padrejtë kanë reaguar nga kjo parti.
Nga LDK-ja u arsyetuan duke thënë se Kuvendi ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, jo me rezoluta të pjesshme e selektive.
Sipas LDK-së, refuzimi që aty të përfshihen zbardhjen e rasteve të vrasjes pas luftës e bëri atë rezolutë të paplotë e të mangët, transmeton lajmi.net.
“Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat”.
Reagimi i plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës beson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive.
LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës. Kjo është vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euro-atlantik të Republikës sonë.
Megjithatë, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës.
Refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e bëri Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh. Përballë kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë.
Ky qëndrim është aktiv dhe parimor. LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë. Nuk relativizon historinë, por refuzon instrumentalizimin e saj politik.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë./Lajmi.net/