Sekuestrohen mbi 33 mijë euro mallra në Vërmicë, ndalohet i dyshuari për kontrabandë

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë sekuestruar mallra në vlerë mbi 33 mijë euro në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, ndërsa një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë. Ngjarja ka ndodhur më 12 shkurt 2026, rreth orës 12:15, kur zyrtarët doganorë të Njësisë së Antikontrabandës, në kuadër të Dogana e Kosovës, gjatë ushtrimit…

Lajme

13/02/2026 09:35

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë sekuestruar mallra në vlerë mbi 33 mijë euro në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, ndërsa një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë.

Ngjarja ka ndodhur më 12 shkurt 2026, rreth orës 12:15, kur zyrtarët doganorë të Njësisë së Antikontrabandës, në kuadër të Dogana e Kosovës, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë identifikuar një automjet që nuk i është bindur urdhrit për ndalim dhe është larguar nga pika e kontrollit, transmeton lajmi.net.

Pas reagimit të menjëhershëm operacional, zyrtarët i janë vënë në ndjekje automjetit dhe kanë arritur ta ndalojnë në autostradë. Më pas, nën përcjellje zyrtare, automjeti është kthyer në PKK Vërmicë për kontroll të detajuar.

Gjatë kontrollit është konstatuar se automjeti transportonte dërgesa postare të destinuara për blerës në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Pas numërimit dhe verifikimit, në automjet janë gjetur 233 pako me gjithsej 1,376 njësi mallrash të ndryshme, me vlerë të përgjithshme prej 33,810.98 euro. Sipas autoriteteve, shmangia nga detyrimet doganore kap vlerën e 10,075.67 eurove.

Malli i sekuestruar përfshinte artikuj tekstili, këpucë, produkte kozmetike, aksesorë, produkte ushqimore dhe mallra të tjera konsumi.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë hetimore të Doganës së Kosovës dhe, me urdhër të prokurorit kompetent, është iniciuar rast për vepër penale. I gjithë malli është sekuestruar dhe evidentuar sipas procedurave ligjore, ndërsa automjeti është konfiskuar përkohësisht dhe dërguar në hapësirat zyrtare të Doganës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë./lajmi.net/