Spiropali: Shqipëria angazhohet diplomatikisht për mbrojtjen e luftës së UÇK-së
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ka komentuar miratimin e deklaratës së Kuvendit të Shqipërisë në mbrojtje të liderëve të UÇK-së në Hagë. Përmes një postimi në Facebook, Spiropali tha se Kuvendi i Shqipërisë foli njëzëri për të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës dhe për dinjitetin e atyre që…
Lajme
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ka komentuar miratimin e deklaratës së Kuvendit të Shqipërisë në mbrojtje të liderëve të UÇK-së në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Spiropali tha se Kuvendi i Shqipërisë foli njëzëri për të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës dhe për dinjitetin e atyre që e mbajtën mbi supe atë barrë historike.
“Ishte një zë që nuk vinte vetëm nga salla e parlamentit, por nga kujtesa e një kombi që e di çfarë do të thotë të luftosh për liri”, shkroi ajo.
Ajo shtoi se Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e përshëndet këtë deklaratë dhe angazhohet plotësisht për zbatimin e saj në çdo forum ndërkombëtar, me dinjitet, me përkushtim dhe me respekt të palëkundur për të vërtetën historike.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte një kapitull i errët, por një dritë në një kohë të errët për gjithë kombin shqiptar. Ajo ishte një luftë për mbijetesë, për dinjitet dhe për të drejtën themelore të një populli për të jetuar i lirë në tokën e vet. Kjo e vërtetë nuk është çështje interpretimi politik; është pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive”, theksoi tutje ajo.
Po ashtu, ministrja shtoi se Shqipëria qëndron pranë Kosovës, me solidaritet të plotë dhe me besimin se drejtësia duhet të jetë e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me të vërtetën historike.
Sipas Spiropalit, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të ndërmarrë çdo hap diplomatik për të mbrojtur këtë të vërtetë, për të kundërshtuar çdo përpjekje për barazimin e viktimës me agresorin dhe për të siguruar që zëri i Shqipërisë dhe i Kosovës të dëgjohet qartë në çdo tryezë ndërkombëtare.
“Sepse liria e Kosovës është një kapitull i përbashkët i historisë sonë, dhe dinjiteti i saj është dinjiteti i gjithë kombit shqiptar”.
