Çfarë do të ndodhë me qytetarët që nuk kanë legalizuar pronat në Preshevë?

Ani pse më 8 shkurt të këtij viti, në Komunën e Preshevës ka përfunduar aplikimi për legalizimin e pronave, qytetarët të cilët ende nuk kanë regjistruar pronat e tyre, për arsyeje larg territorit të Serbisë apo të tjera personale, kanë një kohë prej një vit që ta përfundojnë atë. Ndërkohë deri më 8 shkurt, kur…

Lajme

12/02/2026 15:10

Ani pse më 8 shkurt të këtij viti, në Komunën e Preshevës ka përfunduar aplikimi për legalizimin e pronave, qytetarët të cilët ende nuk kanë regjistruar pronat e tyre, për arsyeje larg territorit të Serbisë apo të tjera personale, kanë një kohë prej një vit që ta përfundojnë atë.

Ndërkohë deri më 8 shkurt, kur edhe ka përfunduar aplikimi në Komunën e Preshevës, kanë aplikuar mbi 4 mijë persona.

Këtë bëri të ditur për KosovaPress, drejtori i urbanizimit në Komunën e Preshevës, Ardian Aliu, i cili ka thënë se nuk ka pasur presion nga Qeveria e Serbisë për legalizimin e pronave të shqiptarëve në këtë komunë.

“Sipas statistikave tona në komunën e Preshevës kanë aplikuar mbi 4 mijë persona për regjistrimin e pronës.. 3:20 Nuk ka qenë presion dhe kjo është e mirë dhe një dobi e qytetarëve të komunës që të bëjnë regjistrimin e pronës, sepse objektet që janë ndërtuar pa leje, nuk kanë pasur leje të përdorimit apo të ngjashme dhe nuk kanë mundur të bëjnë shitblerjen e shtëpive, apo nëse i duhet qytetarëve të hynë në hipotekë nuk ka pasur të drejtë, ndërsa me këtë ligj tash i gëzojnë të gjitha të drejtat mund ta shesin”, ka thënë Aliu.

Aliu ka bërë të ditur se qytetarët që nuk ishin në kohën e aplikimit brena territorit të Serbisë, kanë kohë deri një vit për legalizim të pronave.

Ndërsa, për masa kundër atyre që nuk i legalizojnë, Aliu nuk kishte informacione nga Qeveria e Serbisë, pasi që nuk kishte njoftuar.

“Të gjithë ata persona që nuk kanë mundur të bëjnë regjistrimin e pasurisë për arsye nëse kanë qenë të sëmurë apo jashtë vendit, është afati ligjor diku brenda një viti. Të gjithë mund të bëjnë regjistrimin e objekteve të tyre. Ligjvënësi ka paraparë që qytetarët të cilët për arsyeje të veta nuk kanë mundur të jenë prezent në territorin e Serbisë, ata mund të aplikojnë. Kemi raste edhe nga data 8 shkurt kur është mbyllur afati i rregullt për regjistrimin e pasurisë, kemi disa raste që kanë ardhur dhe ia kemi mundësuar këtë të drejtë.. Nuk e dimë, ne nuk kemi informacione sepse Qeveria e Serbisë nuk ka njoftuar për asnjë masë kundër personave që nuk regjistrojnë pasurinë”, ka shtuar ai.

Me datë 8 dhjetor 2025 Qeveria e Serbisë ka dërguar një vendim që të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, të mund të aplikojnë dhe të bëjnë regjistrimin e pasurisë. Ky afat ka zgjatur deri më 8 shkurt 2026./kp