Dixon: Prokuroria po përdor dy standarde, Serbia nuk mund të injorohet – UÇK-ja nuk mund të akuzohet padrejtësisht

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka vazhduar sot me fjalën e tij përmbyllëse në Gjykatën Speciale, duke kritikuar ashpër qasjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe duke vënë në pah kontekstin historik dhe ndërkombëtar të luftës në Kosovë. Dixon theksoi se ZPS-ja nuk ka kryer punën e saj në mënyrë të drejtë,…

Lajme

12/02/2026 11:38

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka vazhduar sot me fjalën e tij përmbyllëse në Gjykatën Speciale, duke kritikuar ashpër qasjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe duke vënë në pah kontekstin historik dhe ndërkombëtar të luftës në Kosovë.

Dixon theksoi se ZPS-ja nuk ka kryer punën e saj në mënyrë të drejtë, duke u fokusuar vetëm në një anë të konfliktit dhe duke shmangur përgjegjësitë e palëve të tjera: “ZPS-ja thjesht ngre një çështje të vetëm njërës anë të konfliktit dhe nuk e bën punën e vet si duhet. Është e rëndësishme të theksohet se Kosova ka mbështetur këtë gjykatë ndërkombëtare dhe angazhimi i saj duhet të përgëzohet.”

Ai vuri në dukje se, në kontekstin ndërkombëtar, roli i Kosovës në drejtësinë ndërkombëtare duhet të respektohet:

“Angazhimi i Kosovës ndaj drejtësisë duhet të përgëzohet dhe duhet t’i jepet vendi që meriton në shtete dhe kombe të ndryshme në botë, duke siguruar respektimin e sundimit të ligjit”.

Dixon gjithashtu kritikon qasjen e dyfishtë të ZPS-së ndaj UÇK-së dhe Serbisë:

“Nuk është e ndershme të injorohen politikat serbe dhe dominimi i tyre. Nëse vlerësohet se UÇK-ja ka vepruar ndryshe, duhet parë konteksti më i gjerë i zhvillimeve. Serbia nuk mund të shihet si thjesht ‘dele që kalojnë gjatë natës’ – ky është një rast klasik i përdorimit të dy standardeve nga ZPS-ja”, tha Dixon, shkruan lajmi.net.

Ai theksoi rëndësinë e krahasimit me praktikat ndërkombëtare: “Dëshmitë tregojnë se sistemi i aparteidit është ushtruar nga Serbia, një sistem që ka zanafillën në Afrikën e Jugut. Ndërsa aty u dha fund këtij sistemi në fillim të viteve ’90, në Kosovë po përshkallëzohej situata, dhe autorët e veprave kërkuan pajtim në Afrikën e Veriut. Megjithatë, ata akuzuan personat që kishin vuajtur nën atë sistem dhe tentuan të prezantonin pjesëtarët e UÇK-së si rrugaçë”.

Dixon përfundoi duke kërkuar nga gjykata të marrë parasysh kontekstin historik dhe të trajtojë UÇK-në me të njëjtin standard që përdoret në raste ndërkombëtare:

“Gjykata duhet të shikojë me kujdes dëshmitë e dhëna nga Serbia, njësoj si është bërë në rastin e Afrikës, dhe të mos lejojë që dy standarde të ndryshme të përdoren kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së”, deklaroi Dixon. /Lajmi.net/