Dixon në Hagë: Prokuroria po bën gjetje të pasluftës si prova, nuk ka lidhje me luftën – Veseli i pafajshëm
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka vazhduar sot deklaratat përmbyllëse në Gjykatën Speciale, duke sfiduar fuqishëm argumentet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe duke mbrojtur klientin e tij, Kadri Veseli. Dixon theksoi se prokuroria po mbështetet në dëshmitë e Veselit dhe të të tjerëve për periudhën pas luftës, duke i paraqitur si…
Lajme
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka vazhduar sot deklaratat përmbyllëse në Gjykatën Speciale, duke sfiduar fuqishëm argumentet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe duke mbrojtur klientin e tij, Kadri Veseli.
Dixon theksoi se prokuroria po mbështetet në dëshmitë e Veselit dhe të të tjerëve për periudhën pas luftës, duke i paraqitur si prova për aktivitetet gjatë konfliktit, një qasje që mbrojtja e cilëson të padrejtë dhe të pabazuar.
“Se pari, dëshmia e z. Veseli, të cilës ata i referohen, ka të bëjë me strukturën e SHIK-ut pas luftës – nga viti 1999 deri në vitin 2008. Ai përshkruan kapacitetet dhe zhvillimin e strukturave të sigurisë vetëm në periudhën pas luftës. Kjo nuk ka asnjë lidhje me atë që ka ndodhur gjatë luftës”, deklaroi Dixon, shkruan lajmi.net.
Avokati shtoi se prokuroria po përpiqet të krijojë një lidhje të paqenë midis periudhës së pasluftës dhe aktiviteteve gjatë luftës, duke e prezantuar atë si provë kundër Veselit: “Ata nuk mund të kenë pasur struktura të mjaftueshme gjatë luftës për të vepruar në atë mënyrë – gjithçka u zhvillua pas përfundimit të konfliktit”.
Dixon theksoi gjithashtu se referencat e prokurorisë për bashkëpunëtorë kanë të bëjnë vetëm me punën e SHIK-ut pas luftës dhe nuk përbëjnë asnjë aktivitet të paligjshëm. “ZPS injoron faktin që z. Veseli e ka bërë të qartë se nuk bëhej fjalë për hakmarrje ndaj bashkëpunëtorëve. Gjithçka është dokumentuar në intervistat e tij, por është injoruar nga prokuroria”, tha Dixon.
Mbrojtja gjithashtu argumentoi se nuk ka asnjë provë që gjatë luftës z. Krasniqi ka pasur kontakte me Veselin, përveç një takimi të vetëm në maj të vitit 1999, duke sfiduar kështu pretendimet e ZPS për “rolin kyç” të Veselit gjatë konfliktit.
Deklaratat e Dixon vijojnë të forcojnë mbrojtjen e Kadri Veselit, duke e prezantuar rastin e prokurorisë si të mbështetur mbi prova të dobëta, selektive dhe të ndërtuara mbi pasluftën, në vend që të demonstrojnë aktivitet të paligjshëm gjatë luftës. /Lajmi.net/