Dixon në Hagë i ashpër: S’ka asnjë provë kundër Veselit, prokuroria shmangu dëshmitarët kyç

Në Gjykatën Speciale me seli në Hagë ka nisur sot dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Gjatë paraqitjes së tij, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka hedhur kritika të ashpra ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke e cilësuar qasjen e saj si…

Lajme

12/02/2026 10:54

Në Gjykatën Speciale me seli në Hagë ka nisur sot dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Gjatë paraqitjes së tij, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka hedhur kritika të ashpra ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke e cilësuar qasjen e saj si të padrejtë dhe të pambështetur në prova të besueshme.

Dixon theksoi se disa nga dëshmitarët kryesorë, mbi të cilët – sipas tij – janë mbështetur akuzat ndaj Veselit, nuk kanë dalë asnjëherë për të dëshmuar në sallën e gjyqit. Ai përmendi në veçanti dëshmitarin e njohur si 47/47, për të cilin tha se, megjithëse kishte folur gjerësisht në media për pretendimet e tij, prokuroria vendosi të mos e thërrasë në gjykatë, shkruan lajmi.net.

“Sërish, ZPS mbështetet në deklarimet e tij pa pasur një konfirmim aktual në sallë gjyqi. Kjo është një mënyrë e rehatshme për të ndjekur penalisht dikë – me shkrime dhe pa u dhënë mundësinë mbrojtjes për kundërpyetje”, deklaroi Dixon, duke shtuar se prokuroria e dinte se disa dëshmitarë do të “shpërbëheshin” përballë pyetjeve të mbrojtjes.

Avokati britanik kritikoi gjithashtu mënyrën se si janë përdorur dëshmitë e disa ish-anëtarëve të (NPK), konkretisht Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa dhe Shukri Buja. Sipas tij, nuk është dhënë asnjë shpjegim i qartë pse këta persona janë përfshirë si pjesë e një rrethi të caktuar, ndërkohë që udhëheqës të tjerë nuk janë trajtuar në të njëjtën mënyrë.

Dixon theksoi se dy prej tyre kanë vendime fajësie për krime lufte, duke ngritur pikëpyetje serioze se si prokuroria mund të mbështetet në dëshmitë e tyre për të ndërtuar rastin kundër Veselit. “Si mundet ZPS të mbështetet në pjesë të intervistave të tyre, madje edhe për pretendime që nuk përfshihen fare në aktakuzë?”, shtroi ai pyetjen para trupit gjykues.

Sa i përket pretendimeve për lidhje të Veselit me persona të caktuar, përfshirë emrin Geci, Dixon deklaroi se “nuk ka asnjë provë të besueshme” që tregon se Veseli ka qenë përgjegjës apo ka udhëzuar ndonjë individ për krime të pretenduara. Ai përmendi edhe konfuzionin rreth identitetit të një personi me të njëjtin mbiemër, duke sugjeruar pasaktësi në qasjen e prokurorisë.

Në fund, mbrojtja kritikoi edhe mënyrën e paraqitjes së dokumenteve si prova, duke e cilësuar procesin si jo logjik dhe selektiv. Sipas Dixon, kur dëshmitarë që mund të komentonin dokumente të caktuara ishin në sallë, atyre nuk u kërkohej sqarim, ndërsa të tjerët që nuk kishin njohuri për to pyeteshin.

Me deklaratat përmbyllëse që po hyjnë në fazën finale, mbrojtja e Kadri Veselit po përpiqet të bindë trupin gjykues se rasti i prokurorisë është i brishtë, i ndërtuar mbi dëshmi të pakonfirmuara dhe pa prova të drejtpërdrejta që e lidhin atë me akuzat e ngritura. /Lajmi.net/