Analistët: Kuvendi duhet të jetë arenë e përvojës

Politologu Dorajet Imeri, ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës duhet të përfaqësojë përvojën politike, ndërsa hapësirat për të rinjtë duhet të gjenden edhe në institucione e iniciativa të tjera. Në një prononcim për RTK-në, ai tha se legjislativi duhet të jetë vend ku përplasen përvoja të gjata politike. “Kuvendi i Kosovës duhet të jetë arenë…

Lajme

11/02/2026 17:56

Politologu Dorajet Imeri, ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës duhet të përfaqësojë përvojën politike, ndërsa hapësirat për të rinjtë duhet të gjenden edhe në institucione e iniciativa të tjera.

Në një prononcim për RTK-në, ai tha se legjislativi duhet të jetë vend ku përplasen përvoja të gjata politike.

“Kuvendi i Kosovës duhet të jetë arenë e njerëzve që janë me përvojë afatgjate në politikë dhe kjo s’duhet të jetë dekurajim për të rinjtë. Shikoni se si funksionojnë kongreset në Amerikë. Ka mjaftueshëm hapësira dhe institucione e iniciativa të reja për të rinj, ndërsa unë besoj që Kuvendi duhet të jetë arenë e përplasjeve me përvojë”, tha Imeri.

Ai e cilësoi si lajm faktin që një 19-vjeçare është bërë deputete.

“Vërtet është lajm për mua që një 19-vjeçare të jetë deputete, që i bie se ajo është në vitin e dytë të fakultetit. Unë e konsideroj që ky është vend i mundësive, sepse ai që është udhëheqës i seancës është 78-vjeçar dhe 19 me 78 vjeç i bie diferenca 59 vjet dhe kjo është diferencë e madhe”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Fatime Hadri komentoi përbërjen e re të Kuvendit, duke theksuar se në Lëvizjen Vetëvendosje gara ka qenë më e lehtë për shkak të rezultatit zgjedhor.

“Në Lëvizjen Vetëvendosje çdo i dyti është bërë deputet, i bie që tek ata ka qenë gara më e lehtë, për shkak të numrave. Por megjithatë ka emra të rinj edhe atje. Janë konfirmuar ata që janë figurat kryesore në VV, ata që edhe kanë marrë votat më të mëdha”, tha Hadri.

Ajo e cilësoi si lajm të mirë edhe rritjen e numrit të grave në këtë mandat të Kuvendit.

“Është e rëndësishme që të ruhet edhe pozita e Presidentes që të jetë për një grua”, tha ajo.