Pula: Prokuroria pritet që së shpejti të sjellë rezultate konkrete për dyshimet mbi manipulimet me vota
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula tha se prokuroritë përkatëse nëpër komuna kanë përfunduar pothuajse të gjitha intervistimet dhe se ka mbetur vetëm një numër i vogël i komunave për ta përfunduar këtë fazë hetimore. Pula konfirmoi se së shpejti prokuroria do të ketë rezultate konkrete lidhur me dyshimet për manipulime me vota. “Pothuajse…
Lajme
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula tha se prokuroritë përkatëse nëpër komuna kanë përfunduar pothuajse të gjitha intervistimet dhe se ka mbetur vetëm një numër i vogël i komunave për ta përfunduar këtë fazë hetimore.
Pula konfirmoi se së shpejti prokuroria do të ketë rezultate konkrete lidhur me dyshimet për manipulime me vota.
“Pothuajse në të gjitha komunat janë duke u ndërmarrë veprime hetimore. Po intervistohen komisioner dhe hetohen, disa prej tyre kanë përfunduar intervistimin, por rezultatet përfundimtare do t’i kemi ditët në vijim, kur të mblidhen të gjitha intervistat e tyre nga prokurorët dhe hetuesit e rasteve të komunave të caktuara. Pardje kanë nisur hetimet në Dragash, dje në Suharekë, sot prokuroria në Gjakovë ka nisur hetimet në Rahovec, në Gjilan pothuajse kanë përfunduar, në Mitrovicë gjithashtu kanë përfunduar në Prishtinë kanë mbetur edhe komuna e Prishtinës në përfundim e sipër kështu që jemi në përfundim të të gjithë grumbullimit të informatave, intervistimit të komisionerëve dhe kryesuesve të qendrave të votimit.” , tha Pula.
Prokurorja Pula ka konfirmuar se të gjeturat e KQZ-së kanë shpërfaqur më së shumti dallime në vota në komunën e Prizrenit dhe Malishevës megjithatë, u bë e ditur se hetime lidhur me dyshimet për manipulime me vota janë duke u zhvilluar në pothuajse gjitha komunat e Kosovës. Pula deklaroi se aktualisht me masa e paraburgimit prej 30 ditësh u është caktuar dhjetëra komisionerëve dhe vëzhguesve zgjedhor.
“Persona të ndaluar 28 i kemi në Prizren, 15 Gjakovë, 2 Pejë me paraburgim është fjala ndërsa të tjerët me masa të tjera si paraqitje në stacion policor dhe disa prej tyre prokurorët kanë vendosur që t’i lëshojnë me procedurë të rregullt”, shtoi Pula.
Ndërkohë, Pula tha për Rtv21, se në varësi të hetimeve dhe deklaratave që kanë dhënë komisionerët zgjedhor gjatë intervistimit, prokuroria do t’i zgjeroi hetimet dhe pjesë e tyre pritet të jenë edhe kandidatët për deputet që dyshohet se përfituan nga manipulimet me vota.