Rashiq kërkon nga Lista Serbe të deklarohet për integrimin e institucioneve serbe, Bislimi paralajmëron javë kyç
“Partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit i ka bërë thirrje Listës Serbe që të deklarohet dhe të tregojë se çfarë është pajtuar konkretisht lidhur me integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore në Kosovë, të cilat funksionojnë në sistemin e Serbisë, si dhe kush ka zhvilluar negociatat dhe në emër të kujt. “Nëse…
Lajme
“Partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit i ka bërë thirrje Listës Serbe që të deklarohet dhe të tregojë se çfarë është pajtuar konkretisht lidhur me integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore në Kosovë, të cilat funksionojnë në sistemin e Serbisë, si dhe kush ka zhvilluar negociatat dhe në emër të kujt.
“Nëse nuk ka marrëveshje, atëherë është jashtëzakonisht e papërgjegjshme, madje edhe mashtruese, të paraqitesh si mbrojtës politik i popullit serb, ndërkohë që nuk ofrohet asnjë zgjidhje konkrete”, thuhet në reagim, ku vlerësohet se heshtja e Listës Serbe “nuk është e rastësishme”.
“Kjo sjellje e tillë e thellon pasigurinë, frikën dhe ndjenjën e braktisjes institucionale”, thuhet në reagimin e partisë së Rashiqit.
Ndryshe, Rashiq në zgjedhjet e fundit, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ka fituar një mandat deputeti në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Lista Serbe ka siguruar nëntë mandate. Ai ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, pasi Lista Serbe i braktisi institucionet në vitin 2022, ndërsa pritet që të jetë pjesë edhe e Qeverisë së re që do të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, më 10 shkurt ka deklaruar se pesë deri në gjashtë javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për integrimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe, duke theksuar se të gjithë duhet të jenë konstruktivë lidhur me këtë çështje.
Bislimi, në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës në gjuhën serbe, RTK2, tha se ekzekutivi kosovar i ka ftuar kryetarët aktualë të komunave me shumicë serbe në një takim të premten, ndërsa deri më tani pjesëmarrjen e ka konfirmuar vetëm njëri.
“Do të ishte mirë që kryetarët e komunave në këtë fazë të tregojnë sa më shumë përgjegjësi, sepse mirëqenia e qytetarëve të tyre varet në masë të madhe nga qasja që do të kenë në javët e ardhshme”, është shprehur Bislimi.
Dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku, Graçanica, Shtërpca, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Novobërda – udhëhiqen nga kryetarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar kësaj partie me pyetjen nëse kryetarët e komunave me shumicë serbe do t’i përgjigjen ftesës së Qeverisë së Kosovë për takim lidhur me integrimin e shëndetësisë dhe arsimit.
Ndërkohë, më 10 shkurt, rektori Nebojsha Arsiq ka deklaruar se Universitetit në Mitrovicë të Veriut – i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë – i është dorëzuar një shkresë nga Universiteti i Prishtinës, sipas së cilës Fakulteti i Shkencave Teknike po e shfrytëzon objektin në mënyrë të paligjshme dhe se brenda 30 ditësh duhet ta lirojë atë ose të fillojë rregullimin e përdorimit.
Arsiq ka thënë për portalin Kossev se Fakulteti i Shkencave Teknike nuk funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe se nuk ka mundësi t’i përgjigjet këtij kërkese në mënyrë institucionale, por se lidhur me hapat e mëtejmë po “pres udhëzime”.
Radio Evropa e Lirë u është drejtuar rektorateve të universiteteve në Mitrovicë të Veriut dhe në Prishtinë me kërkesë që të ofrojnë më shumë detaje lidhur me këto pretendime, por nga këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.
Njoftimi për fillimin e integrimit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore përkon me fillimin e zbatimit të fazës së parë të aplikimit të plotë të Ligjit për të huajt, e cila do të zgjasë deri më 15 mars dhe parasheh një periudhë informimi.
Zbatimi i plotë i këtij ligji mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve serbe shëndetësore dhe arsimore, pasi të gjithë ata që nuk kanë dokumente kosovare duhet të posedojnë leje pune ose licencë për punë, për të cilën kërkesa parashtrohet në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.
Po ashtu, punonjësit e Universitetit në Mitrovicë të Veriut që vijnë nga Serbia ose nga vende të tjera të rajonit do të duhej të kenë leje të përkohshme qëndrimi dhe të përmbushin kushte të tjera të përcaktuara me ligj, varësisht nga qëllimi i qëndrimit.
Në praktikë, marrja e lejes së punës ose për shkollim mund të jetë problematike, pasi Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, të cilat i konsideron paralele dhe ilegale.
Bislimi ka theksuar se problemi nuk qëndron te zbatimi i ligjit, por se institucionet serbe duhet të “legalizohen” brenda sistemit juridik të Kosovës.
Për këtë çështje ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke vlerësuar se institucionet serbe të arsimit dhe shëndetësisë janë “vetë thelbi” i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia janë pajtuar që ta formojë gjatë negociatave në Bruksel.
“Beogradi mbetet i hapur për bisedime dhe pret angazhim të shtuar të Bashkimit Evropian dhe të Brukselit në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme që do të respektonin marrëveshjet ekzistuese dhe të drejtat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, tha Zyra për Kosovën.
Palët u pajtuan për Asociacionin më 2013 dhe ai përmendet edhe në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë pranuar në vitin 2023. Sipas një draft-statuti që hartoi Bashkimi Evropian, Asociacioni do të duhej ta rregullonte edhe çështjen e të hyrave, përkatësisht financimin nga buxheti i Serbisë.