Termeti i fundit, në kryeqytet nuk ka dëme serioze apo të lënduar – Drejtori për Emergjenca tregon çka duhet të bëni

Një termet me magnitudë 4.8 është regjistruar sonte në Kosovë, me epiqendër në zonën e Prevallës. Në lidhje me këtë, drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica ka thënë se deri në këto momente nuk ka raportime për dëme serioze apo të lënduar. Ai ka thënë se institucionet përkatëse janë në…

Lajme

10/02/2026 22:43

Një termet me magnitudë 4.8 është regjistruar sonte në Kosovë, me epiqendër në zonën e Prevallës.

Në lidhje me këtë, drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica ka thënë se deri në këto momente nuk ka raportime për dëme serioze apo të lënduar.

Ai ka thënë se institucionet përkatëse janë në gatishmëri dhe po e monitorojnë situatën në vazhdimësi, shkruan lajmi.net.

Fushtica ka kërkuar nga qytetarët të ruajnë qetësinë dhe ka treguar udhëzimet që duhet të ndiqen.

  • Qëndroni të informuar vetëm nga burime zyrtare.
  • Nëse ndjeni lëkundje të tjera, qëndroni larg dritareve, rafteve dhe objekteve që mund të bien.
  • Në ambiente të mbyllura, strehohuni nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës.
  • Pas përfundimit të lëkundjeve, dilni me qetësi në hapësira të hapura, duke shmangur panikun dhe grumbullimet.
  • Mos përdorni ashensorët.

Kujdes shtesë:

  • Kontrolloni me kujdes banesat për dëmtime të mundshme.
  • Ndihmoni fëmijët, të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.
  • Telefononi shërbimet emergjente vetëm në raste të domosdoshme, për të mos bllokuar linjat.

“Institucionet e sigurisë dhe emergjencave janë në gatishmëri të plotë. Çdo informacion i ri do të komunikohet në kohë reale. Faleminderit për bashkëpunimin dhe qetësinë tuaj. Siguria e qytetarëve mbetet prioriteti ynë kryesor”, ka shkruar Fushtica në Facebook. /Lajmi.net/