Osmani: Emiratet e Bashkuara Arabe thellojnë mbështetjen për shëndetësinë dhe projektet strategjike në Kosovë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Kosova ka mirëpritur sot një delegacion të lartë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i dërguar personalisht nga Presidenti Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, me fokus në mbështetjen e vazhdueshme për sektorin e shëndetësisë dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve. Sipas…
Lajme
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Kosova ka mirëpritur sot një delegacion të lartë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i dërguar personalisht nga Presidenti Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, me fokus në mbështetjen e vazhdueshme për sektorin e shëndetësisë dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
Sipas Presidentes Osmani, kjo vizitë vjen pas takimit të saj me Presidentin e Emirateve javën e kaluar në Abu Dhabi dhe ka për qëllim realizimin e projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Gjatë vizitës në Kosovë, së bashku me delegacionin e Emirateve dhe Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, Presidentja Osmani vizitoi Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përfshirë Spitalin e Fëmijëve “Sheikha Fatima”, i ndërtuar me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe. Po ashtu, u vizitua edhe lokacioni në Prishtinë ku pritet të ndërtohet spitali i ri i gjinekologjisë, projekt ky që do të realizohet me mbështetje të Emirateve, bazuar në dakordimin paraprak mes palëve.
Delegacioni vizitoi edhe Mitrovicën, ku u prit nga kryetari i komunës, Faton Peci, dhe ku u diskutua ideja për një projekt të ri transformues në të mirë të qytetarëve.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për Presidentin Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan dhe për Sheikha Fatima Bint Mubarak, duke i falënderuar për mbështetjen, besimin dhe miqësinë e sinqertë ndaj Kosovës. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: